Lidhje

Seuli akuzon Phenianin për luftë psikologjike


Manovra ushtarake amerikane-koreanojugore

Manovra ushtarake amerikane-koreanojugore

Udhëheqësi i Koresë së Veriut ka deklaruar se trupat e tij janë në gatishmëri për sulm ndaj një ishulli koreanojugor.

Media zyrtare e Koresë së Veriut citon udhëheqësin e vendit, Kim Jong Un, i cili përdori termat më kanosëse deri tani gjatë një vizite në një njësi ushtarake në vijën e parë të frontit, ku ai thotë se ushtarët janë në gatishmëri për të sulmuar një ishull të Koresë së Jugut. Ndërkaq, një gazetë e rëndësishme konservatore në Korenë e Jugut citon një zyrtar të qeverisë së Seulit sipas të cilit armët bërthamore amerikane do të vazhdojnë të qëndrojnë të dislokuara në ujërat territoriale të Koresë së Jugut, pas manovrave ushtarake, për të parandaluar sulme nga Veriu komunist.

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare në Korenë e Jugut thotë se kërcënimet e reja të udhëheqësit komunist kundër një ishulli që ndodhet pranë kufirit mes dy vendeve është pjesë e një taktike psikologjike që synon të ndryshojë politikat amerikane dhe koreano-jugore.

Zëdhënësi i ministrisë Kim Min-seok u tha gazetarëve se Koreja e Veriut po përgatit manovra të mëdha ushtarake për këtë muaj, të cilat pritet t’i ndjekë nga afër edhe udhëheqësi Kim Jong Un.

"Manovrat mund të sjellin provokacione. Forcat e Koresë së Jugut po ndjekin me vëmendje veprimet e ushtrisë koreano-veriore", tha zëdhënësi.

Të martën, radioja e Koresë së Veriut dha hollësi për inspektimin që zhvilloi të hënën udhëheqësi i vendit në një njësi bregdetare, që sipas fjalëve të tij ishte në gatishmëri për të sulmuar ishullin koreano-jugor Bangnyong.

Në transmetimin e lajmeve citohet Kim Jong Un, i cili u drejtohet trupave me fjalët që ta shndërrojnë ishullin në një det flakësh:

Në transmetimin e lajmeve thuhet se zoti Kim i kishte informuar ushtarët se sapo ai të japë urdhërin, ata duhet t’i tregojnë armikut se ç’do të thotë luftë e vërtetë, duke “i thyer bretkun dhe duke i marrë jetën”.

Agjencia jug-koreane e lajmeve Yonhap thotë se vizita e fundit e zotit Kim në njësitë ushtarake bregdetare ka shqetësuar vëzhguesit për mundësinë e një tjetër ballafaqimi ushtarak mes dy Koreve në Detin e Verdhë.

Acarimi i retorikës nga Pheniani bëhet në një kohë kur janë forcuar sanksionet ekonomike nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe në periudhën e manovrave vjetore ushtarake amerikano-koreane.

Joong Ang Ilbo, një gazetë e rëndësishme konservatore në Seul, citon një zyrtar të qeverisë sipas të cilit armët bërthamore amerikane, do të qëndrojnë në ujërat territoriale koreano-jugore pas përfundimit të manovrave të muajit të ardhshëm.

Shtetet e Bashkuara i tërhoqën armët bërthamore nga gadishulli në vitin 1991.

Komanda e Trupave Amerikane në Korenë e Jugut, në përgjigje të kërkesës së Zërit të Amerikës për komente, dërgoi një deklaratë ku thuhet se Shtetet e Bashkuara i përmbahen me forcë angazhimit në mbrojtje të aleatit të tyre, ku përfshihen përpjekjet për të parandaluar kërcënime përmes “forcave konvencionale dhe masave bërthamore”.

Tensionet në gadishull kanë arritur nivele të papara prej vitesh.

Koreja e Veriut i ka cilësuar manovrat ushtarake me trupa amerikane dhe koreano-jugore si pjesë e një fushate konfrontimi kundër Phenianit si dhe parathënie për një sulm bërthamor, dhe ka thënë se Pheniani ka të drejtë të përgatitet për një sulm parandalues bërthamor.

Koreja e Veriut ka njoftuar gjithashtu se duke filluar nga 11 marsi, e konsideron të pavlefshme marrëveshjen e armpushimit që nënshkroi në vitin 1953 me komandën ushtarake kineze.

Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara Martin Nesirky thotë se, pavarësisht nga komentet e Phenianit, marrëveshja është ende në fuqi.

“Marrëveshja nuk lejon asnjërën palë të anulojë dokumentin në mënyrë të njëanshme. Sekretari i Përgjithshëm do ta ritheksojë vlefshmërinë dhe rëndësinë e këtij dokumenti kritik”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut Cho Tai-young u tha gazetarëve se Seuli kërkon nga Pheniani të tërheqë deklaratën e tij se ka anuluar marrëveshjen e paqes, pasi komente të tilla përbëjnë kërcënim për paqen në rajon.

Megjithëse Koreja e Jugut nuk ishte ndër palët sigluese të dokumentit), zëdhënësi thotë se Seuli do të respektojë në mënyrë të plotë kushtet e marrëveshjes, do të forcojë bashkëpunimin dhe diskutimet me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, për t’iu përgjigjur çdo përpjekjeje të Koresë së Veriut për ta anuluar marrëveshjen.


Dokumenti, në masë të madhe ka mbajtur në fuqi një marrëveshje armpushimi për 60 vjetët e fundit. Por dy Koretë nuk kanë nënshkruar asnjëherë një marrëveshje paqeje mes tyre, gjithashtu nuk kanë normalizuar marrëdhëniet, gjë që nënkupton se teknikisht dy vendet fqinje vazhdojnë të jenë në gjendje lufte që prej 60 vjetësh.
XS
SM
MD
LG