Lidhje

Bumi energjitik ndikon tek ekonomia


Bumi në prodhimin e gazit natyror dhe të naftës në Shtetet e Bashkuara ka ndryshuar pikëpamjen për energjinë në mbarë botën. Pjesëmarrësit në konferencën vjetore HIS-CERA në Houston diskutuan për shtimin përherë e më tepër të karburanteve jo-konvencionale në mbarë botën, pra lëndët djegëse që nuk nxirren nga thellësitë e tokës dhe që i kanë dhënë drejtim rritjes ekonomike dhe zhvillimit në shekullin tonë.

Falë shtimit të prodhimit të gazit natyror në Teksas dhe në disa shtete të tjera amerikane, e ardhmja e enrgjisë në SHBA duket e mirë. Por transporti, sektori i ekonomisë që përdor më tepër energjinë, vazhdon të mbështetet kryesisht tek nafta dhe produktet e saj.
Drejtuesi i kompanisë General Motors, Daniel Akerson, thotë se pajisja e konsumatorëve me stacione të furnizimit me gaz natyror në shtëpi mund të ndihmojë në këtë aspekt.

“Në se mendojmë se kjo do të shtonte shitjen e këtij produkti dhe në se do të nxirrnim fitime, sigurisht që do ta bëjmë këtë gjë”.
Por zoti Akerson thotë se kjo do të ndodhë deri sa qeveria amerikane të mbështesë krijimin e më shumë pikave të furnizimit me gaz natyror në mbarë vendin.

“Ndoshta nevojiten disa nisma të qeverisë për industrinë energjitike për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme. Ne nuk mundet ta kontrollojmë këtë pjesë të ekuacionit. Por njëkohësisht, ne nuk mund të prodhojmë pa patur sigurinë e mbështetjes infrastrukturore”.

Nga që makinat dhe kamionët që përdorin gazin natyror si karburant janë të shtrenjta, kryeekonomisti i Institutit Amerikan të Naftës, John Felmy, thotë se çdo ndryshim duhet të fillojë me automjetet e mëdha komerciale.

Ai mendon se duhet nxitur eksporti i gazit natyror të lëngshëm për t’u dhënë prodhuesve një nismë për t’u zgjeruar.

“Në se i hedhim një vështrim operacioneve të gazit në mbarë vendin, tani për tani vihet re një numër jashtëzakonisht i madh eksplorimesh për shpimet për gaz. Ndërkohë, shpimet për zbulimin e rezervave të reja të gazit nuk kanë ndodhur, për arsye të çmimit relativisht të ulët të këtij produkti”.

Ai thotë se eksportimi i gazit do të pakësonte edhe deficitin tregtar të SHBA, do të krijonte vende të reja pune, ndërkohë që do të kishte vetëm një ndikim të vogël tek çmimi për konsumatorët.

Por ky zhvillim nuk është i mirë vetëm për Shtetet e Bashkuara. Afaristë si Mikhail Smirnov i kompanisë ruse Cryogenmash dëshirojnë t’u shesin gaz natyror të lëngshëm kompanive amerikane.

“Ne jemi entuziastë për këtë projekt, ngaqë do të rritej ndjeshëm numri i shitësve privatë të gazit dhe i klientëve privatë, të cilët do të kenë nevojë për gaz të lëngët në sasi të vogla”.

Në konferencën e Hjustonit erdhën zyrtarë të energjisë nga shumë vende, për të mësuar mbi mënyrat e shtimit të prodhimit të gazit natyror në vendet e tyre.
Për shumë vende, shfrytëzimi i rezervave të gazit natyror lidhet me luftën kundër varfërisë, thotë Arsenio Mabote, Drejtor i Institutit Kombëtar të Naftës të Mozambikut.

“Kur ka burime energjie, mund të gjenerosh, për shembull, energji elektrike, dhe të furnizosh me të popullsinë dhe kjo sjell zhvillim.”
Ekspertët thonë se vendet në mbarë botën do të kenë nevojë për energji nga një numër burimesh, përfshirë naftën, gazin natyror, qymyrin dhe burimet e ripërtëritshme, për të plotësuar kërkesat në dekadat e ardhshme.
XS
SM
MD
LG