Lidhje

BE-ja paketë ndihmash për Qipron


Ministrat e financave të eurozonës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë arritur një marrëveshje për të ndihmuar Qipron me një fond me vlerë 13 miliardë dollarë për të shmangur falimentimin.

Marrëveshja u arrit sot herët në mëngjes.

"Eurogrupi e konsideron ndihmën financiare për Qipron si një garanci për të ruajtur stabilitetin financiar në Qipro dhe në eurozonë në tërësi", deklaroi Jerome Dijsselbloem, presidenti i Eurogrupit, pas gati 10 orë bisedimesh.

Në këmbim të paketës së shpëtimit, Qiproja do të shkurtojë defiçitin, do të tkurrë sektorin bankar, do të rrisë taksat dhe do të privatizojë asetet shtetërore.

“Ky ka qënë një proces mjaft i vështirë, por rezultatet e arritura sot i afrohen synimit të mbajtjes së stabilitetit financiar dhe të kontrollit të borxhit në Qipro”, tha Olli Rehn, komisioneri i BE-së për çështje monetare.

Qiproja është mbërthyer në një krizë të rëndë financiare nga situata në Greqi.

Qeveria kërkoi ndihmë ndërkombëtare për shkak se bankat qipriote pësuan humbje të mëdha nga ristrukturimi borxhit të Greqisë. Vendi-ishull, i cili ka qenë i mbyllur nga tregjet financiare ndërkombëtare që nga maji 2011, kishte kërkuar fillimisht 22 miliardë dollarë ndihma.

Megjithëse paketa për Qipron është disa herë më e vogël se ajo që iu dha Greqisë apo Irlandës, ndihma konsiderohet e rëndësishme për të ardhmen e eurozonës, pasi një falimentim edhe në një vend të vogël mund të trondisë tregjet financiare dhe të minojë besimin e investitorëve në vende të tjera.

Qiproja është shteti i pestë anëtar që siguron një paketë shpëtimi nga 16 vendet e eurozonës gjatë krizës tre-vjeçare të borxhit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG