Lidhje

Marrëdhëniet Obama-Netanjahu


Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë aleatë në ngushtë, por udhëheqësit e tyre kanë patur një marrëdhënie të vështirë gjatë katër viteve të fundit. Në vazhdim i hedhim një vështrim mosmarrëveshjeve mes Presidentit amerikan Barak Obama dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu.

Mosmarrëveshja e parë e rëndësishme mes presidentit Obama dhe kryeministrit izraelit Netanjahu filloi në Kairo, në vitin 2009. Përmes një fjalimi drejtuar botës arabe, zoti Obama kritikoi politikën e Izraelit për ndërtimin e vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor, ku palestinezët duan të kenë shtetin e tyre.

“Shtetet e Bashkuara nuk e pranojnë legjitimitetin e ngritjes së vendbanimeve të reja hebraike, tha zoti Obama.

Disa ditë më vonë, zoti Netanjahu u përgjigj, duke thënë se Izraeli duhet t’i lejojë kolonët “të kenë një jetë normale”, një eufemizëm ky për ndërtimin e banesave të reja.

Në vitin 2010, Izraeli miratoi ndërtimin e shtëpive të reja në Jeruzalemin Lindor, për të cilin palestinezët thonë se është tokë e tyrja, ndërsa nënpresidenti Joe Biden po vizitonte vendin. Zoti Biden e dënoi këtë vendim, me kërkesën e zotit Obama.
Zoti Netanjahu reagoi.

“Të gjithë e dimë se këto lagje do të jenë pjesë e Izraelit, bazuar mbi cilëndo marrëveshje të paqes”, tha zoti Netanyahu.
Ditën tjetër, kur kryeministri Netanjahu shkoi në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama e trajtoi atë me një farë mospërfilljeje. Për takimin nuk pati asnjë foto zyrtare.

Aaron David Miller, i qendrës Woodrow Wilson për Studime Ndërkombëtare, thotë se këto incidente ishin shenja të keqësimin të marrëdhënieve mes dy udhëheqësve.

“Kjo është marrëdhënia më e keqe mes një presidenti amerikan dhe një kryeministri izraelit në historinë e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Kryeministri Begin dhe Presidenti Karter patën tensione, Kryeministri Shamir dhe Presidenti Bush po ashtu, por ata gjetën një mënyrë bashkëpunimi, ndërsa Obama me Netanjahun nuk e arritën këtë.”

Zoti Obama i solli zotin Netanjahu dhe presidentin palestinez Mahmud Abas në Shtëpinë e Bardhë për bisedime për paqen në shtator të vitit 2010.

Por nisma dështoi, ndërsa zoti Netanjahu i dha fund pezullimit të ndërtimeve të reja në Bregun Perëndimor dhe zoti Abbas, si protestë refuzoi t’i vazhdonte bisedimet.
Tensione të reja u shfaqën në korrik të vitit 2012, kur zoti Netanjahu përshëndeti kandidatin republikan për president, Mit Romni, kritik i politikës së zotit Obama ndaj Izraelit. Përkrahësit e Presidentit Obama e akuzuan udhëheqësin izraelit se ishte duke mbajtur anë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara.

Përkrahësit e zotit Netanyahu drejtuan të njëjtat akuza kundër presidentit amerikan, para zgjedhjeve në Izrael në muajin janar.
Pasi zotit Netanyahu i kërkuan të formojë një koalicion qeveritar, Presidenti Obama ra dakord të bëjë vizitën e tij të parë presidenciale në Izrael.
Zoti Miller thotë se pavarësisht nga mosmarrëveshjet mes dy udhëheqësve, aleanca amerikano-izralite nuk është dobësuar.

“Nuk ka aspak rëndësi se çfarë ndodh me kreun. Bashkëpunimi për sigurinë mes të dy vendeve vazhdon të përmirësohet. Lidhjet institucionale mes tyre thellohen.”

Presidenti Obama e ka pranuar ftesën e zotit Netanyahu për darkë në Jerusalem, ku bota do të shohë me këtë rast, nëse dy burrat e shtetit do të mund t’i afrohen arritjes së paqes në Lindjen e Mesme.
XS
SM
MD
LG