Lidhje

Iraku 10 vjet pas pushtimit


Tërheqja e shumicës së trupave amerikane nga Iraku nga ana e Presidentit Barak Obama dhe pakësimi i diplomatëve të Shteteve të Bashkuara në Bagdad mbyllën fushatën që karakterizoi politikën e jashtme të paraardhësit të tij, presidentit Xhorxh W. Bush. Materiali në vazhdim na njeh me gjendjen në Irak dhe me përfshirjen e interesave amerikane në vend, një dekadë pas pushtimit.

"Në këtë orë, forcat amerikane dhe të koalicionit janë në fazat e para të operacioneve ushtarake për të çarmatosur Irakun, për të liruar popullin e tij dhe për të mbrojtur botën nga rreziku i madh."

Dhjetë vjet pasi Presidenti Bush dërgoi trupa në Irak, Uashingtoni nuk duket të ketë shumë ndikim mbi zhvillimet në atë vend.
Kryeministri shi’it Nuri al-Maliki vazhdon të dominojë mbi kundërshtarët e tij suni dhe sipas profesores së universitetit Johns Hopkins, Ruth Wedgwood, pasojat e një dominimi të tillë kanë qënë të papërfillshme mbi të.

"Nuk mendoj se ka ndonjë grup apo forcë që mund t’i hapte telashe. Zoti Maliki duket mjaft i kënaqur me një situatë vazhdimisht të pazgjidhur në Irak, ku kundërshtarët suni herët a vonë do të gjejnë mënyrën për t’u hakmarrë, por për momentin Iraku është një vend Shi’it."

Profesorja Wedgwood thotë se me tërheqjen e SHBA-së, kryeministri Maliki është i lirë të veprojë si të dëshirojë.

"Mendoj se fakti që u tërhoqëm plotësisht - edhe pse kemi lënë atje një ambasadë, pothuaj të zbrazët - u pa nga kryeministri Maliki si një sinjal që e ftonte të vepronte sipas dëshirës së tij."

Veçanërisht për sa i përket objektivit të Bagdadit për marrëdhënie më të mira me Iranin fqinj.

"Zoti Maliki mendoj se ka qenë gjithmonë nën ndikimin e mullahëve në Iran. Është diçka që nuk e ka fshehur dhe nuk ka patur pasoja për këtë."

Ky përbën një problem për administratën Obama në zbatimin e sanksioneve kundër programit bërthamor të Iranit ...dhe në Siri, ku Irani po mbështet presidentin Bashar al-Asad.

Analisti i Institutit Amerikan të Paqes, Steve Heydemann thotë se në Siri Bagdadi po mban një qëndrim kundër Shteteve të Bashkuara.

"Irakianët kanë lejuar mbi territorin e tyre fluturime iraniane, që SHBA-ja do të donte të ndalonin, kanë siguruar forma të tjera mbështetjeje për regjimin e Assadit si dhe kanë toleruar kalimin e kufirit nga ana e shiitëve irakianë, që shkojnë në Siri për të mbështetur regjimin."

Zoti Heydemann thotë se lufta në Siri rrezikon të përkeqësojë situatën në Irak.

"Kjo luftë po përforcon ndarjet sektare brenda vendeve fqinje, gjë që mund të ketë pasoja shumë shqetësuese për stabilitetin e atyre vendeve. Mendoj se Iraku është një nga vendet më të rrezikuara nga paqëndrueshmëria si rezultat i konfliktit sirian."
Disa kompani amerikane kanë përfituar nga privatizimi i naftës në Irak. Por edhe në ato raste vazhdojnë ndarjet mes qeverisë së Bagdadit dhe udhëheqësve kurdë gjysëm-autonomë në veri.
XS
SM
MD
LG