Lidhje

Turneu i Presidentit në Lindjen e Mesme dhe Siria


Udhëtimi i presidentit Obama në Lindjen e Mesme do të përqendrohet kryesisht te rrugët për arritjen e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve. Por lufta në Siri, për të cilën Izraeli po bëhet gjithnjë e më i shqetësuar se aty mund të përfshihet Irani, si dhe thirrjet në rritje për të armatosur kryengritësit sirianë, janë çështje që pritet të diskutohen gjatë turneut të zotit Obama.

Ndërkohë që forcat e presidentit Assad ende kontrollojnë hapësirën ajrore siriane, kryengritësit po kërkojnë që Shtetet e Bashkuara t'u japin armë për t'i dhënë fund luftës në vend.

"Kur neve na mohohen armët, ne nuk mund t'i mbrojmë dot familjet tona dhe vrasjet do të vazhdojnë," thotë Salim Idriss.

Por armatosja e kundërshtarëve të Assadit ka rreziqet e veta, thotë analisti i Institutit amerikan të Paqes, Steve Heydemann.

"Ekzistojnë shqetësime se kjo mund të ketë rreziqe politike. Edhe sot pas 20 vjetësh lexojmë se armët e dhëna nga Amerika luajnë rol në sulmet kundër amerikanëve."

Edhe Izraeli është i shqetësuar për armatosjen e kryengritësve sirianë.

Edhe pse Siria, nën Asadin, ka qenë vazhdimisht aleate e Iranit dhe e Hezbollahut në Liban, kufiri izraelito-sirian ka qenë i qetë për vite me rradhë.

"Ka një shqetësim në Izrael, për shembull, se duke dërguar armë për opozitën siriane do të armatosen grupe që do të mund t'i përdorin ato një ditë kundër Izraelit. Ekziston shqetësimi se nëse prishet boshti Iran-Siri-Hezbollah, Irani do të ndjehet më i rrezikuar, më i kërcënuar, dhe në fakt më i prirur për të përshpejtuar programin e tij bërthamor drejt krijimit të armës bërthamore."

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu nuk beson se sanksionet e ndërmarra me nismën amerikane do t'i japin fund kërcënimit bërthamor të Iranit. Ndërkohë, Uashingtoni duket se nuk ka ndonjë ndikim mbi presidentin Mahmud Ahmadinexhad, thotë profesorja e Universitetit Johns Hopkins, Ruth Wedgwood.

"Ndoshta Ahmadinexhadi po përpiqet të rrisë imazhin e vet, sepse ai nuk është aq i pëlqyer sa më parë brenda Iranit. Por tani për tani nuk duket që Shtetet e Bashkuara të kenë ndonjë ndikim mbi të."

Josh Earnest, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, thotë se Presidenti Obama i kupton shqetësimet e Izraelit.

"Vendet përrreth Izraelit po kalojnë nëpër një tranzicion mjaft të vështirë, ekziston një krizë, dhe ka rëndësi që njerëzit në Izrael të kuptojnë se populli amerikan qëndron pranë tyre në kohë krize dhe se ne do të jemi aty për t'i mbrojtur ata dhe për të punuar me ta për të garantuar sigurinë e tyre."

Lidhur me armatosjen e kryengritësve sirianë, Sekretari i Shtetit John Kerry ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë ndihmë të drejtpërdrejtë për kryengritësit, por jo armë.

Kryengritësit sirianë thonë se lufta do të vazhdojë nëqoftëse aleatët e tyre nuk u japin armë, për të balancuar armatimet që Presidenti Asad merr nga Irani dhe Rusia.
XS
SM
MD
LG