Lidhje

Politika e Obamës për buxhetin

  • Kent Klein

Presidenti Barack Obama po kalon më shumë kohë me republikanët në Kongres, duke shpresuar se ndryshimi i taktikave do t’i çojë ata drejt një kompromisi për buxhetin, imigracionin, kontrollin e armëve dhe çështje të tjera.

Në se dëshiron të vish në Uashington për të vizituar Shtëpinë e Bardhë, je pa fat.

Presidenti Obama dhe republikanët në Kongres nuk mundën të binin dakort për ligjin që do të ndalonte shkurtimet automatike qeveritare, duke bërë që vizitat në Shtëpinë e Bardhë të anulohen tani për tani dhe shumë operacione të tjera qeveritare të pezullohen.

Kështu që zoti Obama po përpiqet me një qasje të re, që media po e quan “ofensive diplomatike”.

Ai ka shkuar disa herë në Kongres për të takuar republikanët dhe demokratët dhe ka darkuar me një grup senatorësh republikanë.

“Gjatë disa javëve të fundit, shtypi këtu në Uashington ka njoftuar rreth ofensivës diplomatike të Obamës… po përpiqem të shoh në se ka ndonjë ndryshim në retorikën boshe të politikës këtu.”

Deri tani, përgjigja nga republikanët, përfshirë kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner ka qenë disi pozitive.

“Jam i kënaqur që presidenti po vjen të na takojë. Kemi patur diskutime të sinqerta. Por mendoj se do të duhen darka dhe telefonata të tjera.”

Ish këshilltari në Kongres Steve Bell, tani me Këshillin për Politikat Dypartiake në Uashington, mendon se ndryshimi i taktikës së presidentit është një lëvizje e mirë.

“Efektshmëria e taktikës së sulmeve ndaj republikanëve- nuk po e përdor fjalën të ashpra por ju e dini, me të vërtetë po jepte rezultatin e kundërt.”

Niveli i mbështetjes së publikut ndaj presidentit Obama është i ndarë dhe zoti Bell thotë se presidenti e kupton tani se duhet të punojë me Kongresin.

"Me anketat e opinionit që janë pak poshtë tani, ai po e ndryshon taktikën dhe kjo mund t’i japë disa rezultate. ”

Presidenti u tha përkrahësve se ai kërkon të ndihojë ligjvënësit republikanë të kalojnë presionin që u vjen nga partia e tyre për të mënjanuar kompromisin me të.
“Mendoj se shumë prej tyre ndjejnë se nuk kanë mundësi të thyejnë këtë ngërç partiak.”

Ndërsa shumë në Uashington janë pesimistë rreth prespektivës për një marrëveshje në muajt e ardhshëm, Steve Bell parashikon se senati i udhëhequr nga demokratët mund të arrijë marrëveshje për një numër çështjesh, të cilat ai thotë se do t’i shtynë republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve të bëjnë të njëjtën gjë.

"Do të jenë pastaj të rinjtë në Dhomën e Përfaqësueve, të drejtuar nga republikanët, jo me një diferencë të madhe por përsëri të drejtuar prej tyre, që do të thonë po apo jo për imigracionin, po apo jo për kontrollin e armëve dhe po apo jo për buxhetin.”

Dhe në se kjo ndodh, Shtëpia e Bardhë do t’i hapë përsëri dyert për vizitorët.
XS
SM
MD
LG