Lidhje

AI, thirrje Greqisë të garantojë sigurinë e azilkërkuesve


Amnesty International u ka bërë thirrje autoriteteve greke që të garantojnë sigurinë e azil kërkuesve nga vende në krizë, që përpiqen të hyjnë në Greqi.

Organizata për të drejtat e njeriut mori shkas nga një rast kur refugjatë nga Siria të cilët kanë humbur jetën në përpjekje për të hyrë në Evropë nga ishulli grek i Lesvos.

Ky rast, thotë Amnesty vë në pah rrezikun që marrin njerëzit që largohen nga konflikti i vendit të tyre për t’u strehuar në Evropë.

Autoritetet e Lesviosit vazhdojnë kërkimin për trupat e azilkërkuesve që përpiqeshin të hynin në ishull. Deri tani ata kanë gjetur trupat e gjashtë sirianëve përfshirë një grua 17 vjeçare shtatzënë dhe një nënë me fëmijët e saj. Ata po kërkojnë trupat e tre sirianëve të tjerë.

Lesvos është një nga pikat kryesore për emigrantët dhe refugjatët që përpiqen të hyjnë në Bashkimin Evropian përmes Greqisë.
Në dhjetor të vitit të kaluar 21 persona, kryesisht afganë u mbytën pranë brigjeve të ishullit, pasi varka e tyre u përmbys.

Amnesty thotë se në vend që të sigurojë mbrojtjen e refugjatëve, sistemi grek për azilkërkuesit, po i braktis ata.

Organizata thotë gjithashtu se autoritetet greke duhet të marrin masa urgjente për të përmirësuar kushtet për pritjen e atyre që mbërrijnë në brigjet e vendit dhe t’i japë fund ndalimit të azil-kërkuesve. Po ashtu Amnesty thotë se sirianët pa dokumenta që ikin nga konflikti nuk duhet të ndalohen, apo t’u jepen urdhra dëbimi dhe autoritetet duhet t’i analizojnë drejt dhe me efektivitet kërkesat për strehim.
XS
SM
MD
LG