Lidhje

Rritet prodhimi industrial në Rusi


Prodhimi i automobilave është në rritje në Rusi. Analistët thonë se kjo është një zhvendosje e nevojshme e Rusisë nga varësia ndaj të ardhurave të naftës dhe gazit tek prodhimi dhe industrializimi si motorë të rritjes në një nga ekonomitë në zhvillim më të mëdha të botës.

Rusia post-sovjetike është parë shpesh si një vend me industri të të prapambetur.
Por, pranë Shën Peterburgut, kompania automobilistike amerikane GM shpreson të trefishojë kapacitetin e saj të prodhimit.

Romuald Rytwinski, Administratori i Prodhimit i kompanisë GM për Rusinë, thotë se cilësia është maksimale.

"Kur shoh makinat që prodhojmë këtu, jam shumë krenar. Cilësia e produktit është po aq e mirë sa ajo në filialet më të mira të Evropës Perëndimore."

Me këto makina të reja, Rusia pritet që këtë vit të kalojë maksimumin e prodhimit të makinave gjatë Bashkimit Sovjetik, 2,2 milionë në vitin 1985. Rigjallërimi i industrisë së makinave mund të sinjalizojë fillimin e ri-industrializimit të Rusisë.

Anders Aslund, një ekonomist suedez, thotë se vendi më i populluar i Evropës mund të ketë marrë një drejtim të ri. Ai thotë:

"Çmimi i naftës do të bjerë dhe Rusia duhet ende të përshtatet me këtë ndryshim ekonomik. Investimi tek prodhimi industrial është një strategji e mirë."

Kompania e kontrolluar nga shteti rus, Gazprom, e cila ka monopolin për eksportin e gazit, tani po u ofron klientëve evropianë ulje të çmimit. Ndërkohë që prodhimi i gazit dhe i naftës në botë rritet, zhvillimi i madh energjitik i Rusisë duket se po i afrohet fundit.
Me përfundimin e fitimit të lehtë të parave në horizont, investitorët e huaj besojnë se Rusia do të ndërmarrë rrugën e industrializimit.
Zoti Aslund thotë:

"Niveli tepër i lartë i çmimeve do të bjerë, dhe ne do të shohim kryerjen e më shumë reformave ekonomike. Kështu mund të shpjegohet dhe rritja e prodhimit."
Këtë vit, Rusia parashikohet të ketë një rritje ekonomike prej 3,5 për qind, ndërsa Evropa përballet me recesion.

Bernie Sucher është një sipërmarrës amerikan me 20 vjet përvojë në Rusi.

"Ky vend, për çfarëdo arsye, është ende në rritje ekonomike dhe ka të ngjarë të vazhdojë kështu. Ritmi i zhvillimit këtu është dukshëm më i lartë se në Bashkimin Evropian dhe ndoshta më i lartë se në Shtetet e Bashkuara, apo në Brazil, nëse do të përmendnim një tjetër ekonomi të madhe në zhvillim që njerëzit mendojnë se është në gjendje shumë të mirë." - thotë ai

Për shkak të mundësisë së uljes së çmimeve të energjisë, fjala kyçe nga ana e Kremlinit për autoritetet vendore është: të inkurajohen investimet në prodhim.

Ndërsa Rusia mbetet e varur nga çmimet e naftës dhe të gazit, e ardhmja e saj mund të jetë në fushën e prodhimit.
XS
SM
MD
LG