Lidhje

Qiproja në pasiguri financiare

  • Mil Arcega

Qiproja po vendos si kurrë ndonjëherë kontrolle mbi depozitorët në bankat qipriote, të cilët lëvizin paratë në vendet e eurozonës, ndërkohë që pritet të rihapë bankat e saj nesër.

Ministri qipriot i financave, Michael Sarris tha se kontrollet janë të nevojshme për të rivendosur besimin në sistemin bankar të vendit.

Qiproja ka njoftuar se depozitorët nuk mund të lëvizin më shumë se 3,831 dollarë në vendet e tjera. Kufizimet vijnë pas marrëveshjes me huadhënësit ndërkombëtarë, të cilët i siguruan vendit një paketë shpëtimi prej 13 miliard dollarësh. Si pjesë e marrëveshjes, Qiproja ra dakord të konfiskojë 40 përqind ose më shumë nga depozitat bankare të pasiguruara që kapin më shumë se 130 mijë dollarë, për të shlyer paketën financiare të shpëtimit.

Bankat e Qipros janë mbyllur që prej dy javësh nga frika se mos klientët tërheqin depozitat.

Pasiguria financiare për vendin ishull të Qipros nuk është zgjidhur ende. Pavarësisht se shmangu falimentimin dhe siguroi një paketë shpëtimi prej 13-miliardë dollarësh, dhimbjet ekonomike mund të jenë vetëm fillimi. Ekonomistët thonë se vendi do të paguajë një çmim të lartë me rritjen e papunësisë, falimentime dhe një krizë të kredive ndërsa përpiqet të verë në vijë bankat në rrezik.

Bankat e Qipros janë të mbyllura deri të enjten – një përpjekje për të shkurajuar klientët që të mos tërheqin paratë dhe për të shmangur tërheqjen e të gjitha depozitave nga bankat me probleme.

Por disa thonë se dëmi tashmë është bërë.
Edhe nëse deputetët qipriotë arrijnë të ruajnë stabilitetin, ekonomisti Yannis Tirkides thotë se sektori privat është i destinuar të vuajë.

"Shumë kompani dhe shumë individë do të humbin paratë dhe kjo do të çojë në ndryshime vendimesh, më pak konsum, më pak investime."

Tani për tani kontrollet e rrepta ka të ngjarë të kufizojnë sasinë e parave që hyn dhe del nga vendi.

Mungon besimi, nuk ka vende të reja pune.

Profesori i Universitetit Warwick Business School, Hari Tsoukas parashikon se niveli i papunësisë do të rritet ndjeshëm.

Ai foli me Zërin e Amerikës përmes Skype-it.

"Tani niveli i papunësisë është gati 14 përqind. Sipas llogaritjeve ekonomia do të ketë një humbje prej 25 - 30 përqind të prodhimit të brendshëm të përgjithshëm dhe kjo patjetër do të dyfishojë papunësinë."

Profesor Tsoukas beson se pasojat ekonomike mund të nxisin ndjenjat anti-evropiane… veçanërisht mes atyre që kanë më shumë se 130 mijë dollarë depozita në bankat e Qipros. Disa mund të humbasin deri në 40 përqind të parave – mes tyre investitorë rusë që e kanë përdorur Qipron si strehë për taksat prej shumë vitesh.

Antis Nathanael, drejtor i Shoqatës Ruso-Qipriote të Biznesit, thotë se vendimi për të penalizuar depozitat e mëdha vendos një precedent të rrezikshëm –precedent që mund të dëmtojë Bashkimin Evropian.

"Paratë nuk kanë atdhe. Paratë shkojnë kudo ku janë të sigurta. Qiproja nuk ka problem tani për tani. Problemi qëndron brenda Evropës, pasi në se kjo ndodh në Qipro, mund të ndodhë në Luksemburg, ndoshta edhe në Gjermani. “

Disa analistë thonë se kushtet e vendosura në minutën e fundit në marrëveshjen me Qipron – tani vendi i pestë i eurozonës që merr ndihmë për t’i shpëtuar falimentimit – vetëm se do të thellojnë shqetësimet rreth të ardhmes së eurozonës me 17 anëtarë.

XS
SM
MD
LG