Lidhje

Presidenti kërkon reforma në procesin zgjedhor


Amerikanët ndjehen krenarë për sistemin e tyre demokratik, por ka prej tyre që thonë se sistemi zgjedhor nuk funksionon si duhet. Pritja në radhë të gjata për të hedhur votën në zgjedhjet e fundit presidenciale nxiti Presidentin Obama të bënte thirrje për reforma në procesin e votës në Amerikë:

Ndërkohë që Presidenti Obama festonte rizgjedhjen nëntorin e kaluar, ai pohoi se një numër i madh njerëzish ishin detyruar të prisnin në radhë të gjata për të hedhur votën.

“Si për ata që votuan për herë të parë, ashtu edhe për ata që u detyruan të presin me orë të tëra, duhet ta reformojmë këtë sistem”.


Në fjalimin mbi gjendjen e vendit më 12 shkurt, Presidenti tha se pritja në radhë të gjata për të votuar është tradhëti ndaj idealeve amerikane.

Ai tregoi historinë e 102 vjeçares Desiline Victor nga Majami i Floridës:

“Kur Desilina arriti në qendrën e votimit, i thanë se mund t’i duhej të priste deri në gjashtë orë për të votuar. Dhe ndërsa priste, ajo nuk e kishte mendjen tek këmbët apo trupi që i dhimbte, por nëse njerëz të grupmoshës së saj mund të mos kishin mundësi të thonin fjalën e tyre”.

Zoti Obama ka njoftuar krijimin e një komisioni të ri për të studiuar procesin zgjedhor, i kryesuar nga juristë të lartë nga fushata e tij elektorale dhe e rivalit të tij Mitt Romney.

Ndërkohë që komisioni përpiqet të gjejë përgjigje, ka të tjerë që po debatojnë ku qëndrojnë të metat e zgejdhjeve në Amerikë. Në Fondacionin Heritage në Uashington, juristi Hans von Spakovsky thotë se zoti Obama po e ekzagjeron problemin:

“Është krijuar miti se gjithkujt iu desh të priste në radhë të gjata për të votuar në nëntor. E dimë që kjo s’është e vërtetë. Instituti i Teknologjisë në Masaçusets bëri një studim mbi këto zgjedhje dhe rezulton se pritja në radhë ishte mesatarisht 14 minuta”.

Por edhe ky rezultat mund të përmirësohet, shprehet David Becker me Pew Charitable Trusts, që ndihmon shtetet të përmirësojnë procedurat e votimit. Ai thotë se radhët janë tepër të gjata dhe sistemi i votimit është vjetëruar.

“Regjistrat e votuesve me të dhëna të pasakta dhe të vjetëruara janë një ndër shkaqet kryesore të problemeve; gjithashtu problemet me vend-ndodhjen e qendrave të votimit, radhët e votuesve, votat e pakonfirmuara, të gjitha këto kushtojnë kohë dhe para shtesë”.

Zoti Becker thotë se duhet zgjeruar përdorimi i teknologjisë për procesin, duke shtuar numrin e shteteve që lejojnë regjistrimin e votuesve përmes internetit.

Von Spakovksy thotë se shumë shtete po bëjnë reforma, për të kontrolluar nëse një votues ka ndryshuar vendbanim apo është i regjistruar në më shumë se një shtet.

Ai shton se komisioni i presidentit dublikon punën e një bordi ekzistues qeveritar, ku zoti Obama nuk ka emëruar ende zyrtarin përgjegjës:

“Ekziston një agjenci federale e quajtur Komisioni Amerikan i Ndihmës për Zgjedhjeet, i krijuar nga Kongresi në vitin 2002 me detyrën për të bërë rekomandime që shtetet të përmirësojnë praktikat e votimit”.

Por zoti Becker shpreson që komisioni i zotit Obama do të sjellë ndryshime:

“Kur njerëzit në nivel shtetëror dhe kombëtar vendosin se ky është një proces i rëndësishëm, na takon ne që t’i ndreqim dhe t’i përmirësojmë këto praktika në vend. Mendoj se komisioni i Presidentit do të japë kontribut në këtë drejtim”.

Nëse arrihet kjo, Desiline Victor dhe votues të tjerë do ta kenë shumë më të lehtë në të ardhmen të ushtrojnë të drejtën e tyre bazë si amerikanë.
XS
SM
MD
LG