Lidhje

Disa relike të Pompeit, që flasin për jetën në qytetin antik para shkatërrimit nga llava e Malit të Vezuvit janë grumbulluar në një ekspozitë të hapur kohët e fundit në Londër.

Artifaktet tregojnë për jetën e përditshme në Pompei dhe Herculaneum, një tjetër qytet më pak i njohur pranë detit. Gjatë gërmimeve që ende vazhdojë në të dy qytetet, arkeologët kanë gjetur objekte që ekspozohen për herë të parë, si nga kopështet e famshme romake, e deri tek orenditë më të zakonshme në dhomat e ndryshme. Nga objektet e ekspozuara, dallohet qartë jeta e shtresave të ndryshme të shoqërisë: pasqyrat me korniza prej argjendi dhe enët e gdhendura artistikisht, natyrisht që i përkisnin të pasurve. Për ata romakë që nuk kishin para të blinin floririn kishte bizhuteri prej bronzi.

Ekspozita po ashtu zbulon koncepte të reja mbi gratë romake. Më parë mendohej se ato ishin kryesisht shtëpiake, bashkëshorte të bindura, që rrisnin fëmijët, por ekspozita nxjerr në pah idenë se gratë, edhe pse nuk kishin të drejtën e votës, mund të ishin të fuqishme.

Kështu statuja e priftëreshës Eumachia, e cila është vendosur në hyrje të ekpozitës, i kushtohet një gruaje shumë të pasur, e cila ndërtoi me paratë e saj, ndërtesën më të madhe të Pompeit, e cila mban dedikimin dhe emrin e saj. Ekspozita me artifakte të Pompeit do të qëndrojë e hapur deri në shtator.
XS
SM
MD
LG