Lidhje

Lufta në Siri dëmton turizmin në Liban


Lebanon Tourism

Lebanon Tourism

Ndërsa lufta në Siri hyri në vitin e tretë, ndikimi ekonomik po ndjehet edhe nga vendet fqinjë. Industria e turizmit e Libanit ra deri me 15 për qind në vitin 2012. Vizitorë nga shtetet e Gjirit Persik që përbëjnë rreth një të tretën e turistëve të Libanit si numër, dhe sjellin 60 për qind të të ardhurave nga turizmi, kanë ndërprerë vizitat e tyre. Disa janë të shqetësuar nga gjendja e sigurisë, të tjerë po e bojkotojnë Libanin për arsye politike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Paige Kollock njofton nga Aley i Libanit.

Kjo qytezë malore njihet edhe me emrin “Nusja e vendeve turistike”. Por fshati turistik pranë Beirutit që dikur tërhiqte shumë sauditë dhe qytetarë nga vende të tjera të Gjirit për atmosferën piktoreske dhe puhitë e mbrëmjes, duket i braktisur këto ditë.

Shumë restorante janë të zbrazëta. Disa janë mbyllur fare. Maher Abou Hassan është menaxher i një restoranti në Aley.

"Më parë të duheshin dy-tre orë vetëm për të përshkuar një nga rrugët kryesore në Aley. Ishte plot me njerëz. Tani është i zbrazët. Shumë nga klientët e mi ishin nga Gjiri. Këtë vit vetëm dy ishin që andej. As libanezët nuk po vijnë edhe aq shumë”.

Restoranti i tij, ashtu si edhe rrugët e fshatit, ishin të mbushura, me 200 vetë çdo të shtunë në mbrëmje. Tani ai e konsideron veten me fat nëse ka 40 klientë.

Abou Hassanit iu desh të shkurtonte numrin e punonjësve nga 18 në 4.


Me malet madhështore, plazhet marramendëse, rrënojat romake dhe arkitekturën otomane, ekonomia e Libanit për një kohë të gjatë është mbështetur tek turizmi, që përbën mbi një të katërtën e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Krahasuar me vitin 2010, numri i vizitorëve ka rënë 38 për qind.

Lufta në Sirinë fqinje është një nga faktorët.

"Ne nuk kemi një rrugë tokësore që të na lidhë me pjesën tjetër të botës, sepse nuk kemi rrugë nga Izraeli. E vetmja lidhje tokësore është nga Siria dhe mund të kemi humbur rreth një çerek milioni turistë që vinin nga toka në Liban, kryesisht jordanezë, iranianë dhe nga Gjiri”.

Për të tërhequr turistët, ministria bëri kohët e fundit një ofertë të posaçme: 50 ditë qëndrim me gjysëm çmimi. Po ashtu çmime special u dhanë për bileta avioni, hotele dhe restorante.

Nizar Khoury është kreu i seksionit tregëtar për agjencinë kombëtare ajrore libaneze, Middle East Airlines.

"Më vjen keq ta pranoj por e vërteta është se kjo strategji nuk ka funksionuar, sepse arsyeja që arabët nuk po vijnë në Beirut nuk është çmimi, por situate politike dhe e sigurisë”.

Prandaj Libani po përpiqet që të tërheqë një klientelë më të larmishme, nga Rusia, Amerika Latine dhe Afrika, mes rajoneve të tjera.
XS
SM
MD
LG