Lidhje

FBI: Përparësi lufta ndaj krimeve me fëmijët

  • Mirela Milori

Shoqëria shqiptare u trondit nga rasti i Ardian Prrenjasit, i cili akuzohet për dhunë seksuale ndaj një të mituri dhe është i dyshuar për vrasjen e një fëmije tjetër. Krimet ndaj fëmijëve janë të pranishme në çdo shoqëri, sado efikase të jenë masat për parandalimin dhe luftën ndaj këtij fenomeni. Por si luftohen dhe parandalohen në Shtetet e Bashkuara krimet e dhunshme ndaj fëmijëve? Kolegia Mirela Milori ishte në selinë e FBI-së në Uashington, ku bisedoi me agjentin special Scott McMillion.


“Krimet kundër fëmijëve janë një përparësi e FBI-së, çdo fëmijë që nuk gjendet është një fëmijë që duhet gjetur. Për të realizuar këtë, kemi parasysh çfarë ka thënë Edgar J. Hoover, drejtori i parë i kësaj agjencie: Krimi luftohet përmes ligjit dhe zbatimit të tij si dhe bashkëpunimit” - kështu shprehet agjenti special i FBI-së Scott McMillion, i cili prej 20 vitesh punon në seksionin e krimeve të dhunshme ndaj fëmijëve në FBI.

“Dhuna seksuale ndaj fëmijëve është një problem i madh këtu në Shtetet e Bashkuara. Fatkeqësisht kjo ndodh, kemi raste që kjo ndodh nga njerëz që rrinë afër fëmijëve si kujdestarë të tyre, trajnierë apo pjestarë të skuadrave sportive ku ata marrin pjesë, pra njerëz tek të cilët fëmijët kanë besim”.

“Informimi dhe edukimi i publikut dhe i shoqërisë është çelësi për parandalimin e krimeve të tilla. Forcat që zbatojnë ligjin nuk mund t’ia dalin vetëm në këtë luftë. Ne bëjmë një punë të madhe për të hetuar krimet ndaj fëmijëve, por kemi nevojë për ndihmën e publikut, është e nevojshme që prindërit të jenë vigjilentë për fëmijët e tyre e të flasin me ta, është e nevojshme që mësuesit të ndihmojnë duke informuar fëmijët që të jenë të përgatitur për të parandaluar incidentet e dhunës seksuale, abuzimin fizik apo rrëmbimet”.


Në Shtetet e Bashkuara ekziston Regjistri i të Dënuarve për Dhunë Seksuale. Kalifornia ishte shteti i parë që krijoi një regjistër të tillë në vitin 1947, ndërsa në vitin 1994, me anë të ligjit të quajtur Jacob Wetterling Act, u kërkua nga të gjitha shtetet amerikane që të kishin një regjistër të tillë. Sa ndihmon ky regjistër në parandalimin e krimeve ndaj fëmijëve?

“Regjistri i dhunuesve seksualë është një burim i madh informacioni për publikun, sepse përmes tij njerëzit mund të identifikojnë çdo individ që ka kryer krime seksuale ndaj fëmijëve apo të rriturve në komunitetin ku jetojnë. Çdo shtet ka legjislacionin e tij në bazë të të cilit vendosen kriteret se cilët duhet të regjistrohen si dhunues seksualë. Regjistri ndihmon forcat e rendit në raste rrëmbimesh, por ne duhet të kuptojmë edhe kufizimet e tij."

"Jo çdo person i dënuar për dhunë seksuale regjistrohet, pasi kjo varet nga kriteret që përcakton ligji i çdo shteti. Një tjetër problem është se personat mund të regjistrohen në një zonë të caktuar si të dënuar për dhunë seksuale, por pastaj shkojnë për të jetuar diku tjetër. Shembull është rasti i Jessica Lundsford, e cila u rrëmbye nga John Couey, person që figuronte si i dënuar për dhunë seksuale, por që jetonte jashtë zonës ku ishte i regjistruar si i tillë. Njerzit që jetonin pranë nuk dinin asgjë për të. Në vitin 2005 ai e rrëmbeu Jessicën nga dhoma e saj e gjumit, e dhunoi seksualisht dhe e vrau. Përpjekjet e forcave të rendit për ta gjetur ishin të mëdha, por ata nuk mundën ta gjejnë emrin John Coey në regjistrin e të dënuarëve për dhunë seksuale”.


Për agjentin Scott McMillion një pjesë e madhe e abuzuesve nuk janë përsëritës; ata e kryejnë krimin për herë të parë, prandaj informimi i fëmijëve, i prindërve, dhe i komunitetit është shumë i rëndësishëm.

Pyetjes sonë nëse njerëz që kryejnë akte të tilla janë me çrregullime mendore, apo e kanë këtë reagim të përftuar gjatë jetës, agjenti special i FBIsë Mc Million i përgjigjet:

“Vetëm ata që kryejnë aktin e dhunës e dinë motivin se përse e kryejnë. Arsyeja kryesore e rrëmbimit të fëmijëve është për qëllime seksuale, por duhet parë në varsi të rasteve. Çrregullimet mendore hasen tek shumë persona që kryejnë krime ndaj fëmijëve, por jo domosdoshmërisht të gjithë ata që kryejnë këtë krim kanë çrregullime të tilla”.

Media luan një rol të madh ndihmues, sipas agjentit të FBI-së, në luftën ndaj krimeve të tilla.

“Nëse një fëmijë i rrëmbyer vritet, kjo ndodh tre orët e para që ai është rrëmbyer, ndaj koha është shumë e rëndësishme. Ne këtu në Shtetet e Bashkuara bashkëpunojmë ngushtë me median, gjithashtu kemi edhe të quajturin sistemi AMBER ku secili vihet në dijeni që një fëmijë është zhdukur.”

Sipas agjentit McMillion, 800 mijë fëmijë janë zhdukur në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1999, statistikë kjo që jepet nga Qendra Kombëtare për Fëmijët e zhdukur e të shfrytëzuar, një prej organizatave me të cilat FBI-ja ka një bashkëpunim të ngushtë.

“Një nga partnerët tanë është Qendra Kombëtare Për Fëmijët e Zhdukur e të Shfrytëzuar, që bën një punë të mirë për të ndërgjegjësuar shoqërinë amerikane për rrezikun e krimeve ndaj fëmijëve i cili fatkeqësisht shpesh është shumë pranë, në lagje, skuadra sporti e madje edhe në kishë."

"Gjithashtu FBI-ja ka një program të quajtur “ Përdorim i sigurt i Internetit”, pasi tani fëmijët kanë prani shumë më të madhe në Internet se më parë. Ky program i FBI-së ka për qëllim të edukojë e të përgatisë fëmijët për një rrezik të mundshëm përmes internetit, medias sociale si facebooku apo mesazhet e shkruara”.

Gjatë karrierës si agjent special i FBI-së, mes shumë rasteve me të cilat ai ka punuar, McMillion veçon rastin e adoleshentes Anne Sluti, një rast që mbërtheu vëmendjen e Amerikës në vitin 2005, e së cilës i është kushtuar edhe një film.

“Anne Sluti ishte 17 vjeçe, atlete shumë e mirë. Ajo u rrëmbye teksa dilte nga një qendër tregtare ku kishte shkuar të merrte disa DVD me filma për t’i parë me shokët. Rrëmbyesi, Anthony Zappa udhëtoi me të për 7 ditë me radhë nga Ohajo drejt Montanës. Gjatë kësaj periudhe ai e abuzoi seksualisht dhe e keqtrajtoi fizikisht. Anne nuk e dinte nëse do t’i mbijetonte ose jo kësaj situate. Por kudo ku shkuan, në çdo ambjent ku flinin, ajo linte letra, shenja dalluese me shenjat e saj të gishtërinjëve," tregon agjenti.

"Anne është heroina ime, sepse në bazë të shenjave të saj arritëm ta gjenim të gjallë."

Zoti McMillion thotë se raste si ky e bëjnë të ketë shpresë edhe për raste të tjera të ngjashme në të ardhmen.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG