Lidhje

Martesa mes personave të së njëjtës gjini, një debat emocional


Për të dytën ditë radhazi, Gjykata e Lartë e SHBA-së dëgjoi dje argumente mbi martesat e të njëjtit seks, një nga çështjet më të debatueshme në vend. Të martën, gjykata shqyrtoi nëse personat homoseksualë kanë të drejtë të martohen. Dje, gjykatësit trajtuan kushtetutshmërinë e një ligji që ndalon qeverinë federale të njohë bashkimet e të njëjtit seks.

Aktivistë pro të drejtave të homoseksualëve u mblodhën sërish dje para Gjykatës së Lartë. Midis tyre ishin Anna Olsson dhe Michelle Bailey. Çifti dëshiron të ndërtojë një jetë së bashku në SHBA, por ligji amerikan nuk i lejon. Anna është nga Suedia.

"Gruaja ime e ardhshme, Michelle, nuk mund të sponsorizojë kartën time të gjelbër, që unë të qëndroj në Shtetet e Bashkuara, siç mund të bënte një burrë. Dhe kjo është shumë e padrejtë."

Çifti mund të shkojë në Suedi për të qëndruar së bashku. Michelle thotë se ligji amerikan do ta detyrojë të zgjedhë midis vendit të saj dhe personit që do.

"Unë kam lindur këtu. Paguaj taksa. Unë meritoj të drejta të barabarta."

Të qenit në gjendje për të siguruar dokumentet e një shtetasi të huaj është një nga qindra përfitimet që u mohohen personave homoseksualëve nga Aktit i Mbrojtjes së Martesës, ligj që njihet dhe si DOMA. Ky ligj ndalon qeverinë amerikane të njohë martesat e të njëjtit seks.

Ligji është paditur nga Edie Windsor. Ajo trashëgoi pasuri nga bashkëshortja e saj dhe iu desh të paguante taksa, që bashkëshortëve heteroseksualë nuk u kërkohet asnjëherë të paguajnë.

Zonja Windsor kujtoi ditët pasi gruaja e saj vdiq.
"Në mes të pikëllimit tim, kuptova që qeveria federale ishte duke na trajtuar si të huaj, dhe pagova një taksë marramendëse për pasurinë e patundshme. Për këtë arsye m’u desh të shisja shumë gjëra, dhe nuk ishte e lehtë."

Administrata Obama pranon se ligji (DOMA) është diskriminues dhe antikushtetues. Ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve po financon mbrojtjen e e Aktit. Kryetari republikan

John Boehner, thotë se ligji duhet të mbahet në fuqi.
"Besoj se martesa është bashkimi mes një burri dhe një gruaje. Kjo është ideja me të cilën jam rritur."

Konservatorët socialë janë dakord. Sipas Peter Sprigg të organizatës Këshilli për Hulumtimet mbi Familjen, vështirësitë që përballojnë çiftet homoseksuale nuk barazpeshojnë nevojat më të mëdha të shoqërisë në përgjithësi.
"Shoqëria ka nevojë për fëmijë. Fëmijët kanë nevojë për një nënë dhe një baba. Kjo është arsyeja pse ne mendojmë se martesa duhet të përkufizohet si bashkim midis një burri dhe një gruaje."

Të martën, anëtarët e Gjykatës së Lartë u dukën se po ngurronin për një vendim mbi të drejtën e homoseksualëve për t’u martuar. Por dje, ata u shfaqën më të hapur lidhur me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së ligjit federal.
Shfuqizimi i Aktit për Mbrojtjen e Martesës nuk do të përhapte martesën e homoseksualëve në Shtetet e Bashkuara, por prej atij vendimi do të përfitonin çiftet e martuara të të njëjtit seks, sipas avokates dhe analistes ligjore Rene Sandler.

"Nëse DOMA thjesht shfuqizohet, kjo do t'u lejonte shteteve të përcaktonin se çfarë është martesa. Kjo gjë do të krijonte një ndarje mes 50 shteteve, disa prej të cilëve do t’a konsiderojnë martesën si bashkim midis një burri dhe një gruaje, ndërsa të tjerë do të lejojnë martesat e të njëjtit seks, ashtu siç kanë bërë nëntë shtete deri tani."

Sondazhet e opinionit publik tregojnë mbështetje në rritje për të drejtat e homoseksualëve. Vendimet e gjykatës së Lartë priten në qershor.
XS
SM
MD
LG