Lidhje

Thirrja e Arvizut: “Mos humbisni shansin për zgjedhje të lira”


Ambasadori amerikan paraqiti sot programin prej 1 milion dollarësh në mbështetje të procesit të zgjedhor në Shqipëri. SHBA me delegacionin më të madh të mundshëm në misionin e vëzhguesve ndërkombëtarë

Në Tiranë ambasadori i Shteteve të Bashkuara Aleksandër Arvizu bëri sot thirrje që Shqipëria të mos shpërdorojë mundësinë për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme. Ai i bëri këto komente gjatë prezantimit të mbështetjes që Shtetet e Bashkuara kanë parashikuar për procesin zgjedhor. Me anë të një financimi prej 1 milion dollarësh do të ofrohet asistencë për komisionin qëndor të Zgjedhjeve, për Vëzhguesit vendor dhe shoqërinë civile për të nxitur angazhimin qytetar në procesin e zgjedhjeve. Ambasadori Arvizu tha se Shtetet e Bashkuara do të kenë delegacionin më të madh të mundshëm në misionin e vëzhguesve ndërkombëtarë


Gjatë fjalës së saj në parlament nëntorin e kaluar sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton i kushtoi një vëmendje të vecantë rëndësisë që zgjedhjet e qershorit të jenë të lira e të ndershme. Dhe Shtetet e Bashkuara nuk janë ndalur vetëm në thirrjen për nevojën e një procesi të tillë, por janë angazhuar edhe duke ofruar ndihmën e tyre konkrete. Janë 1 milion dollarë që do të financojnë projekte dhe programe të ndryshme që lidhen me procesin zgjedhor. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të jetë një nga përfituesit kryesorë të asisitencës teknike duke u përqëndruar në vecanti në teknologjinë informacionit për të patur një raportim më të efektshëm dhe transparente të rezultateve zgjedhore.

Mbështetje do të ofrohet edhe për vëzhguesit vendor por edhe për shoqërinë civile për trajtimin e cështjeve që lidhen me ndërgjegjësimin për të votuar, me të drejtën e votës për personat me aftësi të kufizuar dhe shtresat e tjera të pafavorizuara, me pjesmarrjen e grave apo me organizimin e disa debateve mes përfaqësuesve të forumeve rinore të partive kryesore politike.

E gjitha kjo, sepse sic theksoi ambasadori Aleksandër Arvizu, Shtetet e Bashkuara e kanë për zemër të ardhmen e Shqipërisë dhe forcimin e demokracisë: “Zgjedhjet e sukseshme janë absolutisht kritike për zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe integrimin e saj më të thellë në bashkësinë euro-atlantike. Të dyja këto janë në qendër të politikës amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor dhe specifikisht Shqipërisë”.

Ambasadori Arvizu tha se për realizimin e një procesi të suksesshëm zgjedhor është i rëndësishëm kompromisi dhe gjithëpërfshirja. Ai ka theksuar se partitë politike kanë një rol vendimtar në ndërtimin e besimit në institucionet demokratike dhe tek procesi, ndërsa ka vecuar rolin e qeverisë: “Qeveria ka detyrimin të zhvillojë zgjedhje në mënyrë transparente që janë në përputhje me kushtetutën shqiptare, Kodin Zgjedhor, dhe ligje të tjera përkatëse. Ajo është zotuar se do t’i bëjë zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit më të lirat dhe më të ndershmet në historinë e Shqipërisë. Ky është një synim fisnik. Është një synim i arritshëm dhe e nxisim qeverinë të bëjë gjithçka që mundet për ta përmbushur këtë. Nëse zgjedhjet zhvillohen në një mënyrë që është e hapur dhe transparente – që do të thotë me kompromis dhe gjithëpërfshirje – atëherë do të jetë e mundur të rritet besimi i qytetarëve shqiptarë në integritetin e procesit, dhe për pasojë, edhe të rezultatit”.

Ambasadori Arvizu njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të kenë delegacionin më të madh të mundshëm në kuadër të misionin të vëzhguesve ndërkombëtarë, ndërkohë që zyrtarët e ambasadës do të jenë në lëvizje në të gjithë vendin për të ndjekur nga afër përgatitjet parazgjedhore. Ai e mbylli fjalën e tij duke shprehur besimin se zgjedhjet mund të jenë të suksesshme dhe me thirrjen: “Mos e shpërdoroni këtë mundësi. Thjesht bëjeni të ndodhë. Bëjeni të ndodhë!”

Trego komentet

XS
SM
MD
LG