Lidhje

Thaçi: Raundi i ri i bisedimeve mund të jetë vendimtar


Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i tha sot deputeteve të Parlamentit të Kosovës se raundi i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të mbahet me dy prill, mund të jetë vendimtar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ai i tha deputetëve se trysnia ndërkombëtare është e përqendruar ndaj Serbisë, e cila po kërkon një shkallë të lartë përgjegjësie për komunat me shumicë serbe në veri. Një pjesë e opozitës i vlerësoi sërish bisedimet si të dëmshme për shtetin e Kosovës.


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci tha sot se takimi i radhës ndërmjet tij dhe kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiç, mund të jetë vendimtar për arritjen e një marrëveshje që do të çonte ne normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Ai i bëri këto komente gjatë raportimit para deputetëve të Parlamentit të Kosovës mbi rrjedhën e bisedimeve. Ai tha se trysnia ndërkombëtare tani është e drejtuar nga Serbia e cila ishte shkaktare që u humb mundësia e marrëveshjes që në takimin e kaluar.

Është e qartë që 2 prilli do të jetë vendimtar për marrëveshjen. Ne jemi shumë komod në atë që është në tavolinë, sepse çdo gjë që është aty, është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet dhe Pakon e presidentit Ahtisari dhe me standardet më të larta evropiane. Ne shkojmë në Bruksel të gatshëm për të përmbyllur këtë kapitull dhe për të vendosur që të hapim një etapë të re për Kosovën dhe rajonin në paqe dhe bashkëpunim. Për këtë kemi mbështetjen e pafund të mikut dhe partnerit tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”,tha kryeministri Thaçi.

Bisedimet janë përqendruar tek mënyra e administrimit të veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Beogradi kërkon themelimin e një bashkësie të komunave serbe, që do të kishte kontrollin mbi policinë, drejtësinë dhe planifikimin hapësinor. Por, kryeministri Thaçi përsëriti sot se një gjë e tillë është e papranueshme dhe nuk do të ndodhë.

Asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë diçka që do të cenonte rendin tonë kushtetues e ligjor. Nuk do të zgjidhet një problem duke krijuar një problem tjetër edhe më të madh. Nuk do të lejojmë që të riciklojnë në Kosovë modelet e shkuara të rajonit, qoftë ajo e Republika Srbska, ndonjë ndarje e Kosovës, ndonjë autonomi, ndonjë status special, ndonjë status të veçantë apo të ndonjë Ahtisari plus apo ndonjë status i modelit të Tirolit jugor apo Katalonisë”, theksoi kryeministri Thaçi.

Ai tha se nuk ka trysni ndaj Kosovës për ndonjë zgjidhje që bie ndesh me dokumentet e saj në fuqi. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sabri Hamiti tha se nuk ka arsye për nxitim nëse Kosova nuk ndodhet nën trysni.

Nuk është e thënë që kjo marrëveshje të bëhet vetëm me 2 dhe assesi me 3, 4 apo 5 prill. Aq më tepër kur kryeministri na tha që brengat le të bien mbi Serbinë, sepse ata e kanë vështirë sepse ne e kemi shumë lehtë. Atëherë ne nuk kemi kurrfarë urgjence historike, politike, nacionale, konstitucionale,. Qytetare, që të marrim hov që domosdoshmërisht u dashka që me 2 prill të ndodhë kjo. Aq më tepër që na inkurajon kryeministri që nuk ka asfare presioni”, tha zoti Hamiti.

Ndërsa lëvizja Vetëvendosje, e cila kundërshton bisedimet pa kushte me Serbinë, është e bindur se procesi po e dëmton Kosovën. Deputeti i kësaj lëvizjeje Liburn Aliu,, tha se me dokumentet që janë parë në opinion deri tash, Kosova po ndahet në dy pjesë, madje sipas tij, situata do të jetë me e keqe sesa ne Bosnjë.

Kjo është ma zi se në Bosnje. Ku marrëdhëniet në mes republikave atje janë reciproke. Këtu lere që nuk po kemi reciprocitet me Serbinë por as me pjesën serbe brenda Kosovës. E në çfarë gjendje e solle këtë vend o Hashim Thaçi”, tha zoti Aliu.

Bisedimet aktualisht po zhvillohen rreth një dokumenti tetë pikësh, i cili është publikuar nga mediet serbe në lidhje me përgjegjësitë e asociacionit të komunave serbe, i cili pos tjerash parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve ne komunat veriore brenda vitit 2013. Beogradi vlerëson se oferta e deritashme është e papranueshme dhe ngulë këmbë që Prishtinë të bëjë më shumë kompromis për këtë çështje.

Zyrtarët evropian thonë se diskutimet ndodhen në një periudhë vendimtare dhe se të dyja palët duhet të angazhohen për të siguruar marrëveshje nga të cilat varet edhe procesi i integrimeve evropiane. Njëkohësisht diplomatët perëndimore kanë shtuar thirrjet drejtuar të dyja palëve që të shfrytëzojnë mundësinë për marrëveshje, që sipas tyre, nuk shfaqët dy herë njësoj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG