Lidhje

Nelson Mandela vazhdon të jetë shtruar në spital


Ish-presidenti i Afrikës së Jugut Nelson Mandela është duke e kaluar ditën e tretë në spital për trajtimin e një infeksioni në mushkëri. Mjekët po e trajtojnë me kujdes ish udhëheqësin e lëvizjes kundër aparteidit dhe thonë se ai ka filluar ta marrë veten.

Winnie Mandela, ish-gruaja e zotit Nelson Mandelës, konfirmoi të premten se ai po shërohet.
“Ai është mirë dhe po reagon shumë mirë ndaj trajtimit. Dua t’i falënderoj mediat që të paktën na dhanë hapësirë dhe respektuan privatësinë e familjes. Ne jemi shumë mirënjohës për ju dhe mbarë vendin”.

Laureati 94-vjeçar i Çmimit Nobel për Paqe u dërgua në një spital në Pretoria të mërkurën vonë. Ai u shtrua në spital për tre javë edhe në dhjetor të vitit të kaluar me një infeksion në mushkëri dhe për trajtimin e gurëve në tëmth.

Sot, turistët vazhduan të vizitonin shtëpinë e zotit Mandela në Soveto, të kthyer në muze. Banorët e Afrikës së Jugut ishin të shqetësuar për shëndetin e ish presidentit të tyre.
“Këtu në Sewoto, ne ende kemi nevojë për të, sepse ai ende është heroi ynë,” thotë shitësi Kazempe Tambala.

Nelson Mandela ka jetuar në këtë qytet që ndodhet në periferi të Johanesburgut, qendra më e madhe a banuar me zezakë, që ishte produkt i politikave të ndarjes të zbatuara nga qeveria e apartejdit.

Nelson Mandela u bë presidenti i parë zezak i Afrikës së Jugut në vitin 1994, pasi kaloi gati tre dekada në burg për kundërshtimin ndaj qeverisë së apartadeidit të udhëhequr nga pakica e bardhë.
XS
SM
MD
LG