Lidhje

Uashingtoni përballë sulmeve kibernetike


Përpjekjet amerikane për të forcuar lidhjet ekonomike me Kinën janë penguar nga njoftimet për sulme kibernetike nga Kina. Sikurse na njeh materiali në vazhdim, analistët kanë pikpamje të ndryshme se si mund të zgjidhet ky problem.

Në një seancë dëgjimore në muajin mars, drejtori i Zbulimit Kombëtar James Clapper tha se sulmet kibernetike dhe spiunazhi kibernetik janë bërë kërcënimet kryesore ndaj Shteteve të Bashkuara. Ai i tha një komisioni të Senatit se grupe shtetërore dhe jo-shtetërore po fitojnë përvojë në përdorimin e kibernetikës për të mbledhur informacione dhe për të sfiduar ata që mendohen se janë armiq në hapësirën kibernetike.

“Këto aftësi të reja vënë në rrezik të gjithë sektorët e vendit tonë, nga qeveria dhe rrjetet private deri tek infrastrukturat e rëndësishme”.

Dëshmia e tij erdhi pas një raporti nga firma e sigurisë Mandiant Internet, që akuzoi qeverinë kineze për përfshirje në një fushatë të sofistikuar sulmesh kibernetike kundër organizatave amerikane.

Firma amerikane e sigurisë tha se një grup i lidhur me Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Kinës kishte grabitur sistematikisht informata sekrete nga disa industri amerikane. Disa zyrtarë të industrisë thonë se është koha për t'iu kundërpërgjigjur Kinës dhe jo vetëm për veprime diplomatike.

Analistët debatuan rreth kësaj çështje në programin e Zërit të Amerikës “Encounter”. Jessica Herrera-Flanigan e organizatës Monument Policy Group thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të konsultohen me vende të tjera, nëse duan të kundërpërgjigjen me masa tregtare.

Ajo tha se ka dëgjuar të flitet për kundërpërgjigje me veprime të tilla si sulme kibernetike ndaj sistemeve teknike të Kinës. Ajo paralajmëroi kujdes.

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Së pari nuk e dimë së kë sulmojmë, pastaj nuk e dimë se si do të na kundërsulmojnë prandaj nuk duhet shkuar në këtë drejtim”.


Jason Healey me Këshillin e Atlantikut tha se qeveria amerikane duhet të tregohet më e drejtpërdrejtë në reagimet ndaj çdo sulmi kibernetik nga ana e Kinës.

“Mund të përdorim të dhënat nga kompania e sigurisë Mandiant duke publikuar faktet që do t'ia bënin të vështirë Kinës t’i mohojë sulmet kibernetike. Kjo do të na bënte të shpresojmë se gënjeshtrat e tyre do të dalin në shesh”.

Qeveria kineze ka mohuar se ka gisht madje thotë se është vetë viktimë e sulmeve kibernetike.

Ndërkohë, zyrtarët amerikanë të mbrojtjes kanë njoftuar planet për të krijuar 13 ekipe programuesish dhe ekspertësh që do të ndihmojnë të mbrojnë vendin nga sulmet e huaja kompjuterike.

Pentagoni thotë se ekipet do të jenë pjesë e një përpjekje më të gjerë për të ndihmuar mbrojtjen e Shteteve të Bashhkuara nga sulmet kibernetike që mund të dëmtojnë infrastrukturën.

Zonja Herrera-Flanigan thotë se kjo është një masë largëpamëse. Ajo thotë se Amerika po shqyrton objektivat që mund të preken nga sulmet ushtarake nga jashtë. Analisti Jason Healey thotë se kjo nuk është qasje e re për Amerikën, por diçka që në fakt po përpunohet prej disa vitesh.

“Nuk kam besim te këto mënyra. Me ato çfarë kam parë nuk është arritur shumë. Ne e kemi patur një forcë të tillë sulmi në hapësirën kibernetike prej të paktën 15 vjetësh”.

Ajo që ka ndryshuar, thotë analisti, është se qeveria amerikane po tregohet tani më e hapur rreth sulmeve kibernetike dhe asaj që duhet të bëjë.
XS
SM
MD
LG