Lidhje

Ndikimi i shkurtimeve buxhetore tek imigracioni


Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare po ndjen shkurtimet automatike të buxhetit që hyjnë në fuqi më 1 mars. Një nga pasojat: departamenti liroi mijëra imigrantë të paligjshëm që nuk mund t’i mbante dot më në qendrat e paraburgimit. Çështja e reformës së imigracionit ndërthuret tani me pakësimin e defiçitit, dy tema të nxehta në axhendën e ligjvënësve dhe jep shpresë për mijëra imigrantë që përballen me deportim gjatë muajve të ardhshëm.

Në një natë dhjetori të vitit 2012, agjentët e zbatimit të ligjit hynë në një shtëpi në rrethinat e Çikagos dhe arrestuan Cesar Henriquez .

Ai nuk ishte paraqitur për t’u deportuar. Henriquez është një immigrant i paligjshëm që jeton në Shtetet e Bashkuara.

“Pati shumë dhimbje në familjen time, tek fëmijët e mi. Kam dy fëmijë Janë gati adoleshentë. Pati shumë pikëllim atë ditë në shtëpinë tonë”.

Henriquez, kaloi gati 60 ditë në qendrën e paraburgimit në pritje të deportimit, deri një mëngjes në fund të janarit.

“Na zgjuan nga gjumi në dy të mëngjesit dhe na thanë të bëheshim gati, pasi duhej të largoheshim.”

Jo për të shkuar në El Salvador, vendi i tij i lindjes, por për shkuar në rrethinat e Çikagos, në shtëpinë e tij, për të pritur deportimin.

“Në fillim nuk e dija pse na liruan, por dikush më tha se imigracioni nuk ka më para, kështu që nuk mund të na mbanin nën arrest”.

Henriquez është një nga mijëra imigrantë të paligjshëm të liruar gjatë muajve të fundit për shkak të presioneve buxhetore. Në një konferencë shtypi në shkurt, sekretarja e sigurisë kombëtare, Janet Napolitano pohoi se shkurtimet buxhetore po sjellin problem për agjencinë e saj.

“Imigracioni dhe doganat do të detyrohen të pakësojnë qendrat e tyre dhe nuk do të jenë në gjendje të mbajnë gati 34 mijë vende në to siç kërkohet nga Kongresi.”

“Ne u çuditëm që u liruan për shkak të mungesës së buxhetit pasi e kemi thënë prej vitesh që është absolutisht harxhim parash.”

Joshua Hoyt është drejtues në Koalicionin për të Drejtat e Imigrantëve dhe Refugjatëve në Illinois.

“Në se harxhojmë më shumë se 18 miliardë dollarë në vit për të burgosur imigrantët, për t’i kapur dhe për t’i ndaluar në kufi, është humbje parash.”

Hoyt thotë se kursimi mund të vijë nga një legjislacion i ri dypartiak për imigracionin që po diskutohet në Kongres.

“Gjithë vendi po flet tani për reformën e imigracionit dhe shumë nga këta njerëz do të jenë në gjendje të qëndrojnë, duke mos dëmtuar familjet e tyre.”

Cesar Henriquez kërkon që ligjvënësit të arrijnë një marrëveshje para dhjetorit, afati që ai pret të deportohet.

“Mesazhi për presidentin është të ndalë deportimet dhe të lerë të lire të gjithë ata që nuk kanë probleme me ligjin. ”

Në se detyrohet të largohet, Henriquez thotë se do të harxhojë paratë që nevojiten për të paguar një trafikant për të hyrë përsëri në Shtetet e Bashkuara në mënyrë që të ribashkohet me familjen e tij.
XS
SM
MD
LG