Lidhje

SHBA: Ndikimi i shkurtimeve buxhetore


Ligjvënësit amerikanë miratuan një ligj të ri për t'i financuar agjencitë qeveritare deri më 30 shtator. Por ligji i lë në fuqi shkurtimet automatike me vlerë 85 miliardë dollarë për programet e brendshme dhe të mbrojtjes. Shkurtimet automatike buxhetore kanë prekur çdo agjenci të qeverisë federale, që do të detyrojë shumë punonjës të marrin ditë pushimi pa pagesë dhe shumë kontraktuesë të qeverisë të pushohen nga puna.

Punonjësit e trafikut ajror në Frederik të Merilendit drejtojnë pilotët që ulen e ngrihen nga aeroporti, ku fluturime janë të shumta. Por, me shkurtimet automatike të shpenzimeve kjo kullë kontrolli, si shumë të tjera në aeroportet më të vogla, pritet të mbyllet. Mamie Ambrose punon prej 11 vjetësh në kullat e kontrollit. Ajo është mes shtatë kontraktorëve që do të pushohen nga puna.
“Ne jemi veteranë të forcave të armatosura që kemi fituar medalje për shërbimin tonë, dhe tani po hidhemi në rrugë për shkak të lojërave dhe luftërave politike. Pra do të mbetemi pa të ardhura dhe si shumë të tjerë do të përfundojmë në radhët e të papunëve”.

Më shumë se 20 për qind e banorëve në Frederik në një mënyrë apo tjetër janë punësuar nga qeveria federale. Punëdhënësi më i madh është një bazë e ushtrisë në Detrick Fort që merret me studime në fushën e biomjekësisë dhe që punëson 10-mijë njerëz. Frederick dhe zona të tjera përreth po presin me ankth efektet e shkurtimeve automatike të shpenzimeve.

Kryetari i bashkisë së Frederikut, Randy McClement dhe një punonjës vullnetar shpërndajnë ushqime të ngrohta për të moshuarit me të ardhura të ulëta. Ai është i shqetësuar se shkurtimet federale do të shkaktojnë humbje të vendeve të punës dhe ulje të pagave dhe tërthorazi mund të dëmtojnë organizatat bamirëse që ndihmojnë banorët në nevojë.
“Nëse njerëzit që ndihmojnë vullnetarët tani janë të preokupuar me gjetjen e një vendi pune apo për të kompensuar ditët e humbura ata nuk do të kenë mundësinë të punojnë vullnetarisht për shërbime si ky”.

Kryetari i bashkisë thotë se askush nuk ka një ide të qartë mbi ndikimin që do të kenë shkurtimet automatike, por humbjet e vendeve të punës dhe ulja e pagave do të ketë ndikim mbi një numër banorësh në Frederick.
“Ata jetojnë në qytetin tonë, blejnë në dyqanet e qytetit, ata e bëjnë biznesin e tyre të përditshëm në qytetin tonë. Pra, në qoftë se ata humbasin një ditë pune, atëherë ne do të fillojmë të shohim një rënie në shfrytëzimin e këtyre shërbimeve. Në besojmë se ky do të jetë efekti i shkurtimeve automatike në komunën tonë”.

Richard Griffin, drejtor i zhvillimit ekonomik të qytetit , thotë se lajm i mirë për këtë qytet 65-mijë banorësh është se ekonomia po përmirësohet dhe çdo vit e atë vizitojnë 1.5 milionë njerëz.
“Ne jemi një ekonomi e larmishme, dhe kemi një sektor të fortë të turizmit. Shpresa jonë është që shkurtimet e orarit dhe pushimet nga puna të kontraktorëve do të kompensohen pak nga qeveria federale”.

Disa sipërmarrës, si argjendari Jeff Hurwitz, thonë se shkurtimet e shpenzimeve qeveritare nuk do të dëmtojnë shpenzimet e konsumatorëve në planin afatgjatë.

“Unë nuk besoj se shkurtimet do të kenë ndikim të madh dhe njerëzit do ta kuptojnë këtë. Nuk do të jetë ndonjë gjë e madhe”.

Frederick kohët e fundit ka marrë çmimin e qytetit të rimëkëmbur, një nga qytetet e pakëta në vend që ka arritur të rimëkëmbet nga recesioni i fundit ekonomik. Njerëzit këtu thonë se, pavarësisht nga shkurtimet automatike, ky komunitet përsëri do të jetë në gjendje të rimëkëmbet.
XS
SM
MD
LG