Lidhje

Uashingtoni i kërkon Phenianit të ndalë retorikën


Jay Carney

Jay Carney

Shtëpia e Bardhë ka përsëritur thirrjen drejtuar Koresë së Veriut për të ndalur retorikën provokuese, por thotë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë zbuluar ndonjë mobilizim ushtarak nga Pheniani që të mbështesin kërcënimet ndaj SHBA-së dhe Koresë e Jugut.

Tensionet mbeten të larta mes kërcënimeve të Koresë së Veriut kundër Koresë së Jugut dhe zotimit të presidentes së Koresë së Jugut Park Geun Hye-së për të reaguar ashpër ushtarakisht ndaj çdo sulmi nga Pheniani.

Në ditët e fundit, Shtetet e Bashkuara dërguan aeroplanë B-2 dhe F-22 në Korenë e Jugut, si pjesë e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me aleatin aziatik.

Të hënën, sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se këto fluturime ishin pjesë e hapave të "matur" dhe të rëndësishëm për të siguruar aleatët dhe për të demonstruar vendosmërinë amerikane ndaj Phenianit.

Por ai tha se SHBA-ja dhe aleatët e saj ndjekin nga afër retorikat e Koresë së Veriut dhe gjendjen në terren, dhe deri tani Uashingtoni nuk ka parë ndonjë ndryshim në shkallë të gjerë.

"Pavarësisht nga retorika e ashpër që po dëgjojmë nga Pheniani, ne nuk po shohim ndryshime në sjellje ushtarake, të tilla si mobilizim në shkallë të gjerë dhe pozicionimin e trupave. Megjithatë, ne jemi vigjilentë dhe jemi duke monitoruar me shumë kujdes gjendjen koreane. "

Zëdhënësi Carney anashkaloi një pyetje nëse SHBA ka qenë në kontakt me Phenianin nëpërmjet Kombeve të Bashkuara. Ai tha vetëm se Koreja e Veriut është shpesh një temë në diskutimet mes zyrtarëve amerikanë dhe kinezë.

Zëdhënësi i presidentit Obama quajti pjesëmarrjen e avionëve të avancuar ushtarakë amerikane në manovrat e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut së pjesë e hapave për të ulur shqetësimet në Seul për të mos ndërmarrë veprime të njëanshme. Ai tha se SHBA beson se Pheniani e ka marrë në mënyrë të qartë mesazhin e dërguar nga Uashingtoni dhe aleatët amerikanë.

"Unë mendoj se është shumë e qartë se ata e dinë se çfarë pozicioni do mbajmë ne dhe aleatët tanë në rast të veprimeve provokuese dhe retorikës nga njëra anë, dhe pastaj çfarë hapash Korea e veriut duhet të hedhë për të dalë nga izolimi dhe për të përmirësuar fatin e popullit të vet. "
XS
SM
MD
LG