Lidhje

Pheniani pezullon bashkëpunimin në zonën industriale


Koreja e Veriut vendosi të mos lejojë hyrjen e punëtorëve të Koresë së Jugut në një zonë të përbashkët industriale që ndodhet në veri të vijës kufitare mes dy vendeve. Ky vendim ve në rrezik edhe atë pak bashkëpunim që kishte mbetur mes dy Koreve.

Ministria e Bashkimit e Koresë së Jugut, e cila sot u informua për vendimin e Veriut, tha se nuk i është thënë se sa kohë do të zgjasë ndalimi i hyrjes së punëtorëve në zonën e përbashkët industriale. Zëdhënësi i ministrisë, Kim Hyung-Seok tha se siguria e punëtorëve është përparësi e lartë e Seulit.

“Vendimi i Koresë së Veriut për të pezulluar aktivitetin në zonën industriale është një pengesë për menaxhimin të zonës. Ne i bëjmë thirrje Koresë së Veriut që të normalizojë menjëherë gjendjen në zonën industriale Kaesong”.

Por Pheniani detyroi më shumë se 800 punëtorë të Koresë së Jugut të largohen nga kompleksi industrial Kaesong. Seuli ka paralajmëruar se në qoftë se kjo vazhdon, punëtorëve të Koresë së Jugut mund t’u mbarojnë furnizimet me ushqime.

Ky është kërcënimi më serioz për kompleksin, i cili u hap në vitin 2004 dhe realizon tregti me vlerë 2 miliardë dollarë në vit me zonat e varfëra të veriut.

Vendimi erdhi vetëm disa orë pasi Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry paralajmëroi Phenianin të heqë dorë nga kërcënimet e mëtejshme “provokuese, të rrezikshme dhe të pamatura”, siç u shpreh ai.

“Kemi dëgjuar shumë retorika të papranueshme nga qeveria e Koresë së Veriut në ditët e fundit, prandaj dua ta them fare qartë. Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë veten dhe aleatin e saj, Republikën e Koresë. Ministri i jashtëm jugkorean dhe unë mendojmë se është e rëndësishme që të përqëndrohemi në qëllimin tonë të përbashkët për një gadishull Korean paqësor dhe pa armë bërthamore”.

Duke folur në praninë e ministrit të jashtëm të Koresë së Jugut Yun Byung-se dje në Uashington, sekretari Kerry i bëri thirrje Koresë së Veriut të kthehet në negociatat gjashtë palëshe për programin e saj bërthamor.



XS
SM
MD
LG