Lidhje

Mbijetesa ekonomike në Kilgor të Teksasit


Pompat e naftës i shikon kudo në këtë qytet duke nxjerrë naftë pas më shumë se 80 vjetësh, por Kilgori ka kaluar nëpër disa cikle energjitike

Shtetet e Bashkuara ndodhen në kulmin e një bumi tjetër energjitik, madje deri në vitin 2020 mund të prodhojë më shumë naftë se sa Arabia Saudite. Shtimi i prodhimit të gazit natyror pritet të ulë koston e prodhimit, duke u dhënë produkteve amerikane përparësi të qartë në tregjet botërore. Por e gjithë kjo energji e re shoqërohet me një çmim, siç shihet nga përvoja e një qyteti të vogël me një histori të hershme të bumit nga prodhimi i naftës.

Është e pamundur t’i shpëtosh zhurmës së pompave të naftës në qytetin e vogël Kilgor në pjesën lindore të Teksasit. Pompat janë kudo, duke nxjerrë naftë nga toka pas më shumë se 80 vjetësh që kur u zbulua se këtu kishte naftë. Që prej atëhere Kilgor ka kaluar nëpër disa cikle energjitike plot zig-zage. Qendra e bumit të naftës së Kilgorit ishte një tokë prej çerek hektari në qendër të qytetit ku ende shihen kullat e naftës.

Bill Woodall, redaktor i gazetës Kilgore News Herald, thotë se aq shumë naftë u nxor nga kjo pikë e qytetit sa që kjo zonë u bë e njohur si “Hektari më i Pasur i Botës”.

“Në qytet kishte më shumë se një mijë kulla nafte. Horizonti i qytetit mbizotërohej nga këto kulla. Pjesa e mbrapme e godinave u shëmb për të ndërtuar kullat e shpimit të naftës dhe vinçat hapnin puset e naftës”.

Të gjitha të ardhurat nga kjo naftë bënë që të ndërtoheshin kisha më të mëdha, shtëpi më të bukura, një kolegj i vogël, një bibliotekë dhe një kinema me 900 vende në qytetin me 10 mijë banorë.
Por ky qytet është përballur edhe me vështirësi. Edhe sot e kësaj dite, pompat, cisternat dhe tubacionet e naftës mbulojnë aq shumë sipërfaqe toke sa që qyteti Kilgor ka mungesa strehimi dhe ekonomia me zig-zage të ndjeshme e bën më të vështirë ndërtimin e më shumë shtëpive.

“Katër prej 5 kompanive të ndërtimit që erdhën për të ndërtuar më shumë shtëpi falimentuan. Njëra prej tyre e mori këtë nismë dy herë”.

Të ardhurat shterrojnë shpejt gjatë ngadalsimit ekonomik dhe kompanitë e ndërtimit nuk i shesin dot ndërtesat. Kryebashkiaku Spradlin thotë se paqëndrueshmëria ekonomike e bën të vështirë për të gjithë planifikimin për të ardhmen, përfshirë edhe drejtuesit e qytetit.

“Të ardhurat e qytetit ulen dhe ngrihen. Dhe në rënien që përjetuam në mes të viteve 80-të, ne na u desh të shkurtonim pagat dhe të pushonim njerëz nga puna”.

Zoti Spradlin thotë se mësimet e nxjerra këtu pasqyrohen edhe në muzeun e naftës në Kilgor.

“Të gjitha ligjet se sa afër njeri tjetrit duhen hapur puset e naftës, që zbatohen tani në gjithë botën, u hartuan duke u bazuar në gabimet që u bënë në Kilgor, ku u hap një pus çdo 20 metra. Ne hapën puse nafte në oborin e kishave, në oborin e shtëpive dhe të shkollave”.

Kryetari i Bashkisë së Kilgorit i këshillon qytetet e tjera të Amerikës që po përjetojnë bumin e kohëve të fundit të energjisë, të shmangin shpenzimet e shumta, madje të kursejnë sa më shumë që të munden dhe të mos harrojnë se të ardhurat e shpejta shterrojnë po aq shpejt sa edhe vijnë.


XS
SM
MD
LG