Lidhje

Presidenti i Qipros paralajmëron ditë të vështira


Presidenti i Qipros paralajmëroi për "ditë të vështira përpara" për vendin e tij, ndërsa zbaton një program masash të ashpra ekonomike për të përmbushur kërkesat e huadhënësve ndërkombëtarë, që i dhanë vendit ishull të Mesdheut një paketë ndihmash prej 13 miliardë dollarësh.

Nicos Anastasiades tha sot se qipriotët duhet të bëjnë një përpjekje kolektive dhe të vazhdueshme për t’i dhënë shtytje ekonomisë së vendit, e cila deri tani është përqëndruar kryesisht në rolin e saj si një qendër bankare dhe parajsë taksash për investitorët e pasur.

Presidenti Anastasiades i bëri këto komente ndërsa kryesoi ceremoninë e betimit të ministrit të ri të financave, Haris Georgiades. Ai zëvëndësoi Michalis Sarris, i cili dha dorëheqjen pas 5 javë në detyrë dhe kritikave të ashpra lidhur me mënyrën se si i trajtoi negociatat e paketës së ndihmave nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Në bazë të marrëveshjes që përfundoi me vendet evropiane, Bankën Qendrore Evropiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, Nikozia duhet të ripaguajë huanë gjatë një periudhe 12 vjeçare, por pas një periudhe 10 vjeçare, gjatë së cilës ajo nuk do të paguajë asgjë, për t’i dhënë kohë vendit që të zhvillojë ekonominë e vet.
XS
SM
MD
LG