Lidhje

Tradita e filigranit në Prizren ende e gjallë


Prej shekujsh, qyteti i Prizrenit në Kosovën perëndimore ka qenë i njohur për stolitë e filigranit prej ari dhe argjendi. Por shumë pak zejtarë të filigranit kanë mbetur, sepse sot shumë mallra të këtij lloji importohen me çmime të ulta. Do të flasim tani për një punishte të filigranit në Prizren, e cila i reziston konkurrencës dhe përpiqet të ruajë traditën.

Filigrani është një zeje që kërkon durim dhe sy artistik. Punimet e filigranit bëhen nga fije metali, i cili përdridhet në forma të ndryshme dhe pastaj nxehet e pastrohet duke marrë shkëlqim.

Në kooperativën "Filigrani", Haki Bamja flet për traditën e Prizrenit në këtë zeje:
Haki Bamja, "Filigrani"
"Prizreni ishte në kryqëzimin e shumë rrugëve nga Selaniku në Itali prandaj kjo zeje u zhvillua në të gjitha këto zona, sidomos në Prizren."

Zoti Bamja thotë se importet e lira e kanë dëmtuar tregtinë e filigranit.
"Kosova është treg i hapur për çdo gjë, prandaj mallrat që vijnë nga Kina dhe Tajvani ia kanë marrë një pjesë të vlerës zejes sonë."
Ai thotë se njerëzit e tij punojnë vetëm me argjend sepse ari është shtrenjtuar shumë.

"Filigrani," ka qenë një ndërmarrje e madhe në kohën e ish Jugosllavisë, më vonë u privatizua dhe tani është një punishte me vetëm 8 partnerë, të cilëve u duhet të punojnë shumë për të shkrirë telin e argjëndit dhe për ta punuar e kthyer atë në format e objekteve të ndryshme.

Bashkim Tejeci, një tjetër partner i "Filigranit" e kujton kështu kohën kur kjo zeje ishte më e vlerësuar.

"Bregdeti i ish-Jugosllavisë ishte plot me prodhime të ndërmarrjes sonë në Prizren. Edhe sot e kësaj dite, argjendarët e bregdetit kroat ka të ngjarë të jenë nga Prizreni ose ta kenë mësuar zanatin nga dikush këtu. Tani, vëmendja është shumë e vogël, tregu është zvogëluar dhe po ashtu interesimi dhe mbështetja është shumë, shumë e vogël."

Mjeshtrja e filigranit, Hilmije Bytyqi thotë se kjo tregti është në prag të zhdukjes.
Hilmije Bytyqi, mjeshtre e filigranës
"Kjo zeje mund të zhduket sepse të rinjtë nuk kanë durim për këto lloj punësh. Ata e kalojnë kohën nëpër kafene dhe përpara komjuterit".

Punëtorët fitojnë mesatarisht 300 euro në muaj.
Periudha me shitjet më të mëdha është pragu i verës kur sezoni i dasmave arrin kulmin. Kërkohen sidomos unazat, varëset dhe rripat e mesit prej filigrani.
Pjesën tjetër të vitit punëtorët prodhojnë byzylykë, llulla ose korniza.

Disa prej tyre e ushtrojnë zejen edhe në shtëpi. Mehmed Kastrati u mëson djemve artin e filigranit dhe për të kjo është kthyer në një traditë familjare. Ai thotë se zeja është në duar të sigurta:
Mehmed Kastrati, mjeshtër i filigranit
"Nuk mendoj se znati po zhduket. Ka një farë rreziku, por kur shikoj se fëmijët e mi po e trashëgojnë zanatin, do të mbetet dikush që do ta vazhdojë."

Ai nuk ka frikë nga konkurrenca e vendeve me prodhim masiv, si Kina dhe thotë se askush nuk mund ta konkurrojë cilësinë e mallit të punuar me dorë.
XS
SM
MD
LG