Lidhje

Sfidat e grave kineaste


Filmat e pavarur shënuan këtë vit një moment historik për kinematografinë. Për herë të parë, gratë ishin autore të gjysmës së filmave që konkurruan në Festivalin Sundance, arena më e rëndësishme për prezantimin e filmit të pavarur amerikan. Sipas një studimi të fundit, një numër më i madh grash kineaste realizojnë ose punojnë në filma të pavarur se sa në filma me buxhet të madh në Hollivud. Në reportazhin në vazhdim do të njihemi me problemet dhe pengesat që hasin gratë kineaste sot:

Ava Duvernay e do shumë punën e kineastes, ku sjell këndvështrimin e një gruaje afrikano-amerikane. Ajo ka qenë regjisore e tre filmave dokumentarë…

… dhe dy filmave artistikë, të realizuar nga studio të pavarura. Ajo thotë se gratë shpesh e kanë të vështirë të sigurojnë fonde për filmat artistikë:

“Në disa raste, institucione dhe organizata të drejtuara nga meshkuj e kanë të vështirë të pranojnë nocionin që t’i ofrojnë një shumë të madhe parash një gruaje që do të realizojë një film”.

Përvoja e Avas pasqyron rezultatet e një studimi nga Universiteti i Kalifornisë së Jugut mbi gratë në filma të pavarur. Studimi analizoi filmat që konkurruan në Festivalin Sundance nga viti 2002-2012 dhe zbuloi se afro 40 për qind e autorëve të dokumentarëve ishin gra.

Por vetëm rreth 25 për qind e filmave artistikë kanë gra në role të rëndësishme. Stacy Smith është bashkautore e studimit:

“Sipas studimit, gratë nuk konsideroheshin si shumë të besueshme për të drejtuar një ekip. Nuk konsideroheshin me vetëbesim të mjaftueshëm për të menaxhuar problemet financiare dhe për të drejtuar procesin e produksionit”.

Ka pasur edhe përjashtime si Kathryn Bigelow e cila në vitin 2010 fitoi Oscar si Regjisorja më e Mirë dhe Filmi më i Mirë për realizimin e saj të pavarur The Hurt Locker, që bazohet tek përvoja e ushtarëve në Irak.

Dhe Zoe Kazan e cila arriti të sigurojë financim për filmin Ruby Sparks, një komedi romantike që doli në kinema vjet bazuar në skenarin e shkruar prej saj.

Studimi analizon rreth 50 kineaste dhe drejtuese në industrinë e filmit, të cilat rrëfejnë pengesat që hasin gratë në këtë fushë.

“Një ndër pengesat kryesore është si t’i bindin institucionet financuese që drejtohen nga burra, apo krerët e studiove të drejtuar po nga burra, se janë të afta të marrin përsipër projekte që do të dalin me fitim në treg”.

Filmat artistikë varen nga fondet që ofrojnë producentët ose firma investimesh që përpiqen të sigurojnë fitim. Ndërsa dokumentarët shpesh financohen nga organizata jofitimprurëse dhe investitorë që janë të interesuar për temën e filmit. Gratë kanë sukses më të madh në sigurimin e fondeve për këto filma.

Për të nxitur kineastet femra, Keri Putnam, e Institutit Sundance thotë se ka në plan të ofrojë kurse financash për gratë:

“Si të kuptojnë modelet e financimit, si të kuptojnë mënyrat për të kërkuar kredi, si të tregohen të guximshme dhe me përvojë kur kërkojnë financim, të gjitha këto ua mëson kursi”.
Studimi tregon gjithashtu se nevojiten më shumë programe për mbështetjen e grave në mënyrë që ato të arrijnë sukses në fushën e kinematografisë.
XS
SM
MD
LG