Lidhje

BE, ndikimi i ekonomisë në debatin mbi imigracionin

  • Al Pessin

Shtetet e Bashkuara nuk janë vendi i vetëm i angazhuar në debatin mbi çështjen e emigracionit. Kjo vazhdon të jetë një çështje e debatueshme në shumë pjesë të botës, veçanërisht në Evropë, ku përkeqësimi i ekonomisë ka acaruar tensionet e vjetra mbi çështjen e emigracionit.

Në mesin e mrekullive arkitektonike të Romës ndodhet kjo portë shumë e thjeshtë. Këtu është një qendër këshillimi për emigrantët, e cila drejtohet nga Kisha Katolike. Këta njerëz, disa nga Bashkimi Evropian dhe disa nga vende të tjera, janë goditur nga kriza ekonomike. Disa prej tyre përballen me papunësinë dhe mungesën e ndihmës nga qeveria, ndërsa të tjerë përballen me kthimin në vendet e tyre.

Përveç kësaj, ata përballen edhe me zemërimin e shumë njerëzve në Itali dhe vende të tjera evropiane, pasi ata shpesh fajësohen për nivelin e lartë të papunësisë në mesin e qytetarëve vendas dhe probleme të tjera ekonomike. Në Qendrën për Studimin e Migracionit që sponzorizohet nga Kisha Katolike, Ati Rene Manenti e njeh mirë këtë problem.

“Sa herë që ka një krizë, është më e lehtë të drejtosh gishtin drejt imigrantëve për një arsye të thjeshtë. Nëse e drejtojmë gishtin nga vetja, kjo do të thotë se është faji ynë, përgjegjësia jonë. Nëse e drejtojmë gishtin nga imigrantët, atëherë ata janë përgjegjës. Pra, kjo ka të bëjë me identifikimin e fajit”.

Ky këndvështrim pati një ndikim të madh në zgjedhjet e fundit për të plotësuar një vend të zbrazët në parlamentin britanik, ku një parti që mbështet daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian i befasoi të gjithë, kur doli e dyta në këto zgjedhje. Ndër të tjera, Partia Pavarësia e Mbretërisë së Bashkuar dëshiron të ngrijë imigracionin dhe t’i japë fund lehtësive të krijuara për udhëtimin e njerëzve nga vendet e Bashkimit Evropian.

Por ekspertët thonë se hedhja e fajit mbi emigrantët është një ekzagjerim.

“Natyrish, realiteti, si zakonisht, është më kompleks. Ka situata në të cilat ndoshta emigrantët i marrin vendin e punës italianëve. Në shumë raste, emigrantët bëjnë punët që italianët nuk duan t’i bëjnë për arsye të ndryshme”.
Ai thotë se disa nga këto arsye janë pagat e ulëta, orari i gjatë i punës dhe punët e vështira fizike, si puna në fermë.

Në të vërtetë, lëvizja e lirë e krahut të punës ishte pjesë e konceptit origjinal të Bashkimit Evropian. Dhe nga pikëpamja ekonomike, ndikimi i këtij koncepti është “kryesisht neutral”, thotë profesori John Salt, bashkë-drejtor i Qendrës së Migracionit në universitetin “University College” të Londrës. Por zoti Salt është i shqetësuar për efektin në planin afatgjatë që ardhja e një numri të madh të punonjësve me të ardhura të ulëta mund të ketë në ekonomitë më të forta të Evropës.

“Kjo nuk është e qëndrueshme duke marrë parasysh efektin që mund të ketë mbi shfrytëzimin e tokës, presionin që mund të krijojë në tregun e shtëpive, burimet e ujit, si dhe në konsumin dhe prodhimin e energjisë”.
Kjo është një çështje me të cilën Evropa do të vazhdojë të përballet, ndërkohë që njerëzit që jetojnë në ekonomitë e dobëta të BE-së kërkojnë punë në vendet më të pasura dhe njerëzit nga jashtë BE-së vazhdojnë ta cilësojnë atë si alternativë më të mirë se sa qëndrimi në vendet e tyre.


XS
SM
MD
LG