Lidhje

Vizita e Sekretarit Kerry në Lindjen e Mesme


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry shkon në Lindjen e Mesme sot me ndalesa në Stamboll përgjatë rrugës në Jeruzalem dhe Ramallah. Udhëtimi i tij synon t’i japë shtytje përparimit të arritur pas vizitës së fundit të presidentit Barack Obama në rajon, e cila i dha fund një ngërçi diplomatik mes Turqisë dhe Izraelit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kohët e fundit i kërkoi ndjesë Turqisë për sulmin vdekjeprurës të vitit 2010 mbi komandot detare, një gjest i ndërmjetësuar nga presidenti Obama për të ndrequr marrëdhëniet mes dy aleatëve strategjikë të Shteteve të Bashkuara.

Marrëdhënia dypalëshe u përkeqësua ndjeshëm pasi nëntë aktivistë turq u vranë gjatë një sulmi izraelit mbi një flotilje turke të nisur për në Gaza.

Turqia e pranoi faljen.

Presidenti Obama e përshëndeti këtë arritje.

“E kam thënë për shumë kohë se është në interesin e Izraelit dhe të Turqisë të rivendosin lidhje normale mes të dy vendeve që kanë patur historikisht marrëdhënie të mira".

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry pritet të vazhdojë të përmirësojë marrëdhëniet mes Turqisë dhe Izraelit në udhëtimin e tij në të dyja vendet.

James Jeffrey ka qënë ambassador amerikan në Turqi dhe tani është në Institutin për Politikat e Lindjes së Afërme.

“Po të kemi parasysh situatën tani në rajon, problemet e Turqisë me Irakun, me Sirinë dhe Iranin dhe situatën shumë të vështirë në të cilën ndodhet Izraeli me Iranin dhe në përgjithësi në vendet e Pranverës Arabe, ky është një hap shumë i rëndësishëm strategjik.”

Në Stamboll zoti Kerry do të diskutojë gjithashtu për luftën civile në Siri.

Turqia, e cila ndan 900 kilometra kufi me Sirinë, është një vend i rëndësishëm që mbështet opozitën siriane.

Përsëri, James Jeffrey.

“Ky është një zhvillim i mirë për rajonin. Është shumë mirë që po sjell Turqinë në diskutim. Lufta nuk ka të bëjë vetëm me Sirinë. Prej saj preket gjithashtu Iraku dhe Irani. Këto janë çështje të rëndësishme për Turqinë dhe ne duhet të koordinohemi më mirë”.

Zoti Kerry do të vizitojë gjithashtu Jeruzalemin dhe Ramallahun ndërsa administrata Obama përpiqet t’i japë fund ngecjes së negociatave për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve.

Palestinezët kërkojnë ndaljen e ndërtimit të vendbanimeve hebraike në Bregun e pushtuar Perendimor, ndërsa Izraeli thotë se bisedimet duhet të rifillojnë pa kushte.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Victoria Nuland.

“Sekretari Kerry dhe Presidenti kanë thënë se ka një mundësi urgjente për palët të kthehen në bisedime. Ne jemi të përgatitur t’i mbështesim për këtë, por ne nuk mund të bëjmë më shumë sesa janë të gatshëm ata të bëjnë”.

Protestuesit palestinezë janë përleshur përsëri me forcat izraelite të sigurisë lidhur me vdekjen kohët e fundit të dy demonstruesve mbi çështjen e të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite – çështje që ka të ngjarë të ngrihet nga udhëheqësit palestinezë gjatë vizitës së zotit Kerry.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG