Lidhje

Komunitetet rome në varfëri ekstreme


Komuniteti rom në periferi të Tiranës jeton në një varfëri ekstreme. Fondet që jepen për ta asnjëherë nuk mbërrijnë tek nevojtarët, ndërsa uria dhe sëmundjet janë në shkallën më të lartë. Fëmijët janë pa shkollë, dhe prindërit janë pa punë. Avokati i Popullit propozon ndërhyrje të ngutshme për të ndryshuar situatën.

Komunitetet rome në periferi të Tiranës vuajnë prej vitesh nga një papunësi dhe varfëri ekstreme, ndërsa ndihma e shoqërisë për ta duket shumë e largët. Shumica e fëmijëve dhe të rriturve deri në 30 vjeç nuk dinë shkrim dhe lexim. Ata braktisin shkollën sepse punojnë për të mbijetuar. Punësimi i fëmijëve romë është një dukuri masive. Mbi 80 për qind e romëve jetojnë duke shitur mbetje të riciklueshme metalike dhe plastike.

Pjesa dërrmues e romëve janë të papunë, por e duan punën, janë të pashkollë, por e duan shkollën, janë pa profesione, por rrethanat e vështira i shtyjnë vetëm drejt luftës për mbijetesë.

Askush nuk i ndihmon romët dhe miliona euro që vijnë për minoritetet nuk mbërrijnë asnjëherë tek romët, por vidhen rrugës me një mori falsfikimesh. Romëve u rëndon mbi shpinë jo vetëm varfëria e tyre ekstreme, por edhe korrupsioni, që bëhet me fondet në emër të tyre nga njerëz të panjohur nga ky komunitet. Kështu thotë Arben Bastriu, një nga universitarët e rrallë dhe të papunë i komunitett rom, drejtues i qendrës për një vizion bashkëkohor rom.

Hetimin për korrupsion e vjedhje të fondeve kushtuar pakicave e ka kërkuar me kohë edhe avokati i popullit, Igli Totozani. Ai thotë se romët janë plotësisht jashtë sistemit të mbrojtjes sociale që ka Shqipëria për shkak të disa kritereve të ashpra burokratike.

Zoti Totozani tregon se një ministër thotë se nuk i dallon dot romët nga tipare të veçanta, një ministër tjetër thotë se nuk i favorizon dot ata se të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit, dhe se shumica e propozimeve të tij për të lehtësuar kriteret e regjistrimit të pakicave bien në vesh të shurdhër.

Nga komunitetet e diskriminuara zoti Totozani vlerësohet sot si i vetmi zyrtar që ka bërë diçka për romët, duke i strehuar në zyrat e tij, duke studiuar hallet e tyre dhe duke propozuar rrugëzgjidhje konkrete, një si amnisti administrative një vjeçare në ndihmë të romëve.

Bashkia e Tiranës ka filluar dy vitet e fundit të ndihmojë diçka për të lehtësuar hallet pambarim të komunitetit rom. Bashkia ka hapur një zyrë për mbrojtjen e pakicave dhe kundër diskriminimit të tyre. Vetë romët universitarë kanë hyrë në administratën e bashkisë së kryeqytetit, po hartojnë projekte zhvillimi për komunitetin e tyre. vetëm në tiranë jetojnë mbi 12 mijë romë në Yzberisht, Allias, Laprakë, Shkozë, dhe periferi të tjera të mjera.

Informacione të pjesshme jozyrtare vlerësojnë se rreth 25 për qind të banorëve romë nuk janë të regjistruar në gjendjen civile. Në regjistrimin e fundit të popullsisë përfaësues të komunitetit rom besojnë se janë regjistruar vetëm një pjesë e vogël e tyre. Janë regjistruar vetëm 8 mijë romë, ndërsa mendohet jozyrtarisht se ata janë rreth 7 -8 herë më shumë se aq. Zgjidhja e këtyre halleve është sfida kryesore e çdo administrate.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG