Lidhje

Shqipëri - Jep dorëheqjen nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba


Denar Biba

Denar Biba

Biba: "U përdhos haptazi mbrojtja ligjore që u jepet komisionerëve për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme".

Zëvendës-kryetari i KQZ, Denar Biba, dha dje dorëheqjen nga detyrat në këtë institucion, sepse sipaj tij, parlamenti i trajtoi komisionerët si anëtarë të thjeshtë partie në seancën e fundit kur zëvendësoi një prej tyre, ndonëse ata janë votuar si të tillë nga shumica që i tejkalojnë ngjyrimet partiake.

Sipas mediave vendore, zoti Biba i dorëzoi dorëheqjen drejtueses së institucionit me një letër, ku thekson se zëvendësimi i komisionerit të propozuar nga LSI është një shkelje e rëndë e parimeve kushtetuese dhe shtetit të së drejtës.

Ai njoftoi dorëheqjen si nënkryetar dhe anëtar i KQZ, sepse, siç thekson, u përdhos haptazi mbrojtja ligjore që u jepet komisionerëve për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zoti Biba thotë se KQZ nuk mund të jetë si teatër marionetash në duart e politikanëve, dhe se populli e meriton demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ku më shumë është nevoja për institucione të pavarura se sa për institucione të balancuar.

Nënkryetari dhe anëtari, i propozuar nga Partia Socialiste në K.Q.Z. u largua me vullnet të lirë nga detyrat një ditë pasi opozita mbrojti fort në parlament moslargimin e një tjetër komisioneri të propozuar nga LSI, kur kjo parti ishte në koalicionin qeveritar.

Dorëheqja e nënkryetarit të KQZ dhe zëvendësimi i një tjetër komisioneri vijnë afro një muaj përpara se sat ë hapet zyrtarsith fushata zgjedhore, duke rihapur tema që besohej se ishin mbyllur shumë kohë më parë me miratimin e Kodit Zgjedhor, dhe duke e ashpërsuar më tej klimën politike parazgjedhore në Shqipëri.

Kapërcimi i LSI nga koalicioni qeveritar në atë opozitar provokoi debate të forta në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe formatimin e KQZ. Po ashtu edhe pushteti vendor po preket nga ndryshimet, tani që këshilltarët e LSI, të ardhur si aleatë të PD po bashkojnë votat me PS në këshillat bashkiake.

Shqetësim për pasojat e mundshme të votimit në parlament mbi besimin e qytetarëve tek procesi zgjedhor shprehu dje edhe Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian dhe përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në Bashkimin Europian, Baronesha Catherine Ashton, gjatë një vizite disaorëshe në Tiranë.

Zonja Ashton bëri thirrje që të mbahen zgjedhje të besueshme sipas standarteve europiane dhe se është përgjegjësi e të gjithë politikanëve që të sigurojnë pavarësinë e institucioneve. Sipas saj, zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit do të jenë një provë për funksionimin e institucioneve demokratike dhe përparimin në integrimin europian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG