Lidhje

Gjenerator elektrik me reaksion kimik, burim i ardhshëm elektriciteti


Gjeneratori mund të prodhojë aktualisht 0.4 vat për çdo metër katror të zhvillimit të bimës, sasi kjo më e madhe se sa energjia e përftuar nga fermentimi i biomasës

Një burim i ri i papritur energjie të gjelbër është zbuluar nga studiuesit e Grupit të Mjedisit dhe Teknologjisë në Universitetin Wageningen në Holandë. Bëhet fjalë për një gjenerator elektrik, që përdor reaksionin kimik, ndërveprimin e natyrshëm mes rrënjëve të bimëve dhe bakterieve të tokës për prodhimin e energjisë elektrike.

Bimët mund të sigurojnë së shpejti elektricitet.

Në një formë me përmasa të vogla ato po e bëjnë një gjë të tillë në laboratoret kërkimore dhe serat e projektit Bimët, një grup kërkimor i sponsorizuar nga universitete dhe kompani private, që përpiqen të zhvillojnë një gjenerator elektrik me reaksion kimik.

Drejtoresha e projektit “Bimët”, Marjolein Helder jep hollësi rreth projektit.

“Kjo është një bimë që rritet mes përbërjeve karbonike dhe ky material organik mes rrënjëve në fakt shpërbëhet nga bakteriet dhe kështu çlirohen elektrone. Ne grumbullojmë elektronet me pëlhura karboni, që përdoren si elektroda”.

Bimët varen nga energjia diellore, për t’u rritur në një proces të quajtur fotosintezë, gjatë të cilit bimët prodhojnë materien organike.

Rreth 70 për qind e kësaj materie transportohet nëpërmjet rrënjëve në tokë, ku ajo shpërbëhet nga bakteriet.

Procesi i degradimit bën që të çlirohen elektrone, që më pas tërhiqen nga elektrodat.

Elektronët dhe protonët shndërohen në prodhuesin e energjisë nga ku ata shkojnë në katodë, ku oksigjeni, elektronët dhe protonët prodhojnë ujë.

Megjithëse teknologjia është premtuese, studiuesit thonë se ajo nuk është zhvilluar ende plotësisht.

Teknikat për ta bërë sistemin të ripërtëritshëm dhe të përdorshëm duhet të vazhdojnë të përmirësohen, ndërkohë që duhen gjetur mënyra për të kufizuar sasinë e materialit të përdorur nga elektrodat.

Vendosja e elektrodave në një pozicion sa më të përshtatshëm përreth bimës bën që të shtohet prodhimi i elektricitetit dhe të përdoret shumë më pak material.

Në zona të largëta, kapaciteti aktual i gjeneratorit elektrik me reaksion kimik po e bën atë një rival ekonomik të paneleve diellore.

Zonja Helder thotë se është e rëndësishme që bimëve t’u krijohet hapësira e duhur për të krijuar reaksionin.

“Disavantazhi ynë është se rrënjët kanë nevojë për hapësirën e duhur për t’u rritur, por në të njëjtën kohë ne na duhet që elektrodat të mos jenë shumë larg njera tjetrës në mënyrë që të kapen elektronët e çliruar. Sa më e madhe të jetë distanca mes elektrodave aq më shumë energji shkon kot. Pra na duhet një balancë e distancës mes elektrodave dhe hapësirës për t’u mundësuar rrënjëve që të rriten”.

Gjeneratori elektrik mund të prodhojë aktualisht 0.4 vat për çdo metër katror të zhvillimit të bimës. Kjo sasi është më e madhe se sa energjia e përftuar nga fermentimi i biomasës.

Një model eksperimental prej 15 metrash katrorë mund të prodhojë energji të mjaftueshme për një kompjuter.

Në të ardhmen, bio-elektriciteti mund të prodhojë deri në 3.2 vat për metër katror nga zhvillimi i bimëve.

Maarten van Riet, ekspert i energjisë së ripërtëritshme në kompaninë e madhe holandeze të elektricitetit Alliander thotë se sistemi i gjeneratorit elektrik, që përdor reaksionin kimik, funksionon mirë.

“Avantazhet e këtij projekti mund të shpjegohen me këtë shembull: prodhimi i orizit në një hektar tokë nuk çliron metan në atmosferë, por prodhon rrymë elektrike. Sheqeri i prodhuar nga rrënjët shpërbëhet nga bakteriet dhe ky proces transformohet në energji elektrike. Kjo është e mundur nëpërmjet këtij procesi. Në rastin më të mirë, nga një hektar ne mund të prodhojmë energji të mjaftueshme për rreth 20 shtëpi”.

Gjeneratori elektrik me reaksion kimik mund të përdoret në shkallë të ndryshme.
Studjuesit mendojnë se çati të sheshta, që prodhojnë energji të gjelbër mund të bëhen realitet brënda pak vjetësh dhe prodhimi në një shkallë më të madhe do të pasojë, siç shpjegon drejtoresha e projektit “Bimët”, Marjolein Helder.

“Panelet diellorë prodhojnë më shumë energji për metër katror, por ne presim të ulim koston e teknologjisë së sistemit tonë në të ardhmen. Sistemi ynë mund të përdoret për aplikacione të ndryshme. Teknologjia jonë prodhon rrymë elektrike, por mund të përdoret edhe si izolues çatie ose si grumbullues uji. Në një shkallë më të madhe, është e mundur që të prodhohet oriz dhe rrymë elektrike në të njëtjën kohë, duke gërshetuar kështu prodhimin e ushqimit dhe të energjisë”.

Parimi i gjeneratorit elektrik, që përdor reaksionin kimik u zbulua në vitin 2007 nga Grupi i Mjedisit dhe Teknologjisë në Universitetin Wageningen në Holandë.

Një çati, që prodhon energji të gjelbër është instaluar në një ndërtesë të Universitetit dhe studjuesit po ndjekin nga afër zhvillimin e bimëve atje.
XS
SM
MD
LG