Lidhje

Varfëria dhe rritja ekonomike në takimet e BB dhe FMN

  • Jim Randle

Problemet më të mëdha ekonomike do të jenë në qendër të vëmendjes ndërsa zyrtarët e financave nga e gjithë bota do të mblidhen në Uashington, duke bërë përpjekje për uljen e varfërisë, nxitjen e zhvillimit dhe për të treguar kujdes ndaj bankave dhe buxheteve kombëtare. Pjesëmarrësit në takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore vijnë nga 188 vendet anëtare të këtyre organizatave.

Më shumë se një miliard njerëz në mbarë botën jetojnë në varfëri të skajshme. Presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Kim është i vendosur për ta ndryshuar këtë fakt. Ai është duke u kërkuar vendeve anëtare të bankës më shumë të ardhura për të ndihmuar njerëzit më të varfër.

Zoti Kim thotë se varfëria më e thellë mund të eliminohet brenda vitit 2030.

"A ka ndokush që ka jetuar me më pak se 1,25 dollarë në ditë që nuk do të bashkohej me mua këtu sot për t’ju thënë se është koha t'i japim fund varfërisë ekstreme?"

Ekonomistët thonë se rritja ekonomike globale do të ndihmojë të varfrit dhe do ta bëjë më të lehtë për 200 milionë të papunët në botë të gjejnë një punë.

Shefja e FMN-së Christine Lagarde thotë se rritja e përgjithshme po përmirësohet.
"Bota e ekonomisë nuk duket më aq e rrezikshme sa dukej nëntë muaj më parë."

Por rritja ekonomike do të vazhdojë të jetë e ngadaltë, paralajmëron ajo, veçanërisht në vendet e pasura e të zhvilluara. Zonja Lagarde tha se rritja ekonomike mund të dëmtohet nga vendime të gabuara lidhur me shkurtimet qeveritare, stimujt ekonomikë, apo nga kriza të mëtejshme në Evropë.

Shtetet e Bashkuara dhe Evropa Perëndimore zakonisht japin shumat më të mëdha për FMN-në dhe Bankën Botërore, si dhe sigurojnë udhëheqësit më të lartë të dy organizatave. Prandaj, ngadalësimi i rritjes ekonomike në këto vende do t’i dëmtonte këto institucione financiare.
Kjo do të thotë se burime të reja ka të ngjarë të vijnë nga vendet në zhvillim me rritje të shpejtë, në Azi apo Afrikë, thotë profesorja e Universitetit të Waterloo-së Bessma Momani. Ajo foli me anë të Skype-it.

"Ata do të sigurojnë fonde që do të shtojnë rezervat aq të nevojshme në arkat e FMN-së, të cilës nuk do t’i duhet të kërkojë të ardhura nga Shtetet e Bashkuara gjatë gjithë kohës."

Domenico Lombardi i Institutit Brookings thotë se shumë vende kanë miratuar tashmë një paketë reformash që u jep ekonomive në zhvillim më shumë pushtet brenda FMN-së. Por, deri kohët e fundit, në Uashington, marrëveshja dukej të ishte e bllokuar.

"Ajo që ka ndodhur është se administrata e ka propozuar formalisht legjislacionin në Kongres, dhe pritet që Kongresi të mund ta miratojë dhe ta ratifikojë paketën brenda këtij viti."

Një ekpsert thotë se suksesi i takimeve të këtij viti do të matet nga sasia e parave të dërguara konkretisht në të ardhmen e afërt për të ndihmuar të varfrit dhe për të përmirësuar infrastrukturën.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG