Lidhje

Sulmet në Boston dhe puna e shërbimeve të zbulimit


Boston

Boston

Ekspertët thonë se duhet një bashkëpunim më i ngushtë mes shërbimeve amerikane dhe ruse të sigurisë për të parandaluar sulmet terroriste.

Pas sulmit me bombë në Boston, Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë premtuan se do të përmirësojnë shkëmbimin e informacionit mbi çështjet e sigurisë.

Javën e kaluar, dy vëllezër me përkatësi etnike çeçene kryen sulme me bomba dhe me armë në Boston. Këtë javë, ekspertët e sigurisë në Rusi dhe Shtetet e Bashkuara po debatojnë arsyet e mos identifikimit të sinjaleve paralajmëruese në dy vitet e fundit.

Në Moskë, Andrei Soldatov drejton faqen e internetit Agentura.ru, e cila merret me studimin e shërbimeve ruse të sigurisë.

“Rusia dhe Amerika nuk bëjnë punë të mirë kur bëhet fjalë për shkëmbimin e informatave të ndjeshme”.

Mark Galleotti është profesor në Universitetin e Nju Jorkut dhe ekspert i shërbimeve ruse dhe amerikane të sigurisë.

“Nuk keni nevojë ta doni një vend tjetër për të realizuar shkëmbimin e informacioneve me të”.

Ky diskutim i drejtpërdrejt është dëshmi e re se ka patur paralajmërime të qarta rreth prirjeve radikale islamiste të Tamerlan Tsarnaev-it, vëllait të më të madh të të dyshuarit Dzokhar Tsarnaev.

Në vitin 2011, me kërkesë të Rusisë, FBI-ja mori në pyetje Tamerlan Tsarnaev-in, analizoi udhëtimet e tij jashtë vendit dhe aktivitetet e tij në internet. FBI-ja thotë se asgjë substanciale nuk u zbulua gjatë këtij kontrolli.

Në janar të vitit 2012, Tsarnaev, një shtetas rus, udhëtoi në Rusi. Ai qëndroi gjashtë muaj atje duke vizituar miqtë dhe të afërmit në Çeçeni dhe Dagestan, dy republikat ruse që janë përballur me nivelin më të lartë të dhunës nga grupet islamike në vitet e fundit.

Pas kthimit të tij në Shtetet e Bashkuara korrikun e kaluar, për një kohë të gjatë ai u mor në pyetje nga zyrtarë të imigracionit në aeroportin e Nju Jorkut.

Në Boston, ai kishte krijuar një faqe publike në YouTube me video që shprehnin mbështetjen për xhihadin dhe luftën e shenjtë islamike. Disa imazhe të treguara në këto video kishin simbole të Emirateve të Kaukazit, grupi kryesor islamik i armatosur në Rusinë jugore.

Në shtator të vitit të kaluar Tsarnaev paraqiti kërkesën për shtetësi amerikane. Kërkesa e tij u shty pasi Departamenti i Sigurisë Kombëtare zbuloi se ai ishte marrë në pyetje nga FBI-ja.

Disa javë më vonë, sipas NBC News, autoritetet ruse përsëri kontaktuan FBI-në në lidhje me Tamerlan Tsarnaev-in, duke thënë se ai ishte takuar me një militant të njohur në Dagestan. Rusët thonë se nuk kishin njohuri për vazhdimin e hetimeve mbi këtë çështje.

Vladimir Milov është një politikan i moderuar i opozitës ruse.

“Ata u paralajmëruan nga rusët mbi veprimtarinë e këtyre njerëzve dhe nuk vepruan. Mendoj se është një dështim i tmerrshëm. Ata nuk arritën të gjenin ndonjë gjë të dyshimtë në këtë rast dhe ajo çoi në këto pasoja tragjike”.

Të premten e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin e telefonoi presidentin amerikan Barack Obama. Sipas Kremlinit, të dy presidentët ranë dakord të përmirësojnë shkëmbimin e informacioneve.

Por ekspertët janë skeptikë.

“Problemi është se me kalimin e viteve është ndërtuar një nivel i konsiderueshëm i dyshimit në të dyja anët. Autoritetet amerikane dyshojnë se rusët thjeshtë do t’i etikojnë si elementë të al-Kaidës ose elementë me prirje të ngjashme njerëzit që thjeshtë ata nuk i duan. Edhe rusët ndjejnë se amerikanët, ashtu si fuqitë e tjera perëndimore, nuk u japin atyre informacione për të luftuar problemet e tyre të brendshme”.

Përveç kësaj, thonë ekspertët, shërbimet amerikane dhe ruse të sigurisë mund të kenë humbur hapin me kohën, duke kërkuar anëtarë të njohur të organizatave terroriste.

Të dielën, organizata Emiratet e Kaukazi, mohoi çdo lidhje me sulmin në Boston, duke theksuar se ajo është në luftë me Rusinë e jo Amerikën.

Disa analistë sugjerojnë se Tamerlan Tsarnaev mund t’i përshtatet profilit të një sulmuesi të “vetëm”, një radikali i cili e ka mësuar vetë ideologjinë dhe teknikat terroriste nga interneti.

Zoti Soldatov thotë se shërbimet ruse dhe amerikane të sigurisë ende mund të besojnë ndryshe.

“Njerëz të tillë që mund të jenë të përfshirë në akte të terrorizmit duhet të jenë të lidhur disi me organizatat terroriste të cilat duhet t’u sigurojnë atyre mbështetje financiare, përkrahje logjistike, eksplozivë, trajnimime dhe gjëra të tjera. Kur forcat e sigurisë nuk arrijnë të gjejnë lidhje të këtij lloji, atëherë ata thjeshtë mund të mendojnë se nuk kanë të bëjnë me një çështje shumë serioze”.

Profesor Galleotti nuk është dakord me këtë vlerësim.

“Këta sulmues të vetëm janë pikërisht ata njerëz të cilët nuk rekrutohen nga të tjerët, ata vetë-rekrutohen. Dhe kjo është një sfidë e madhe sepse identifikimi i tyre është shumë i vështirë”.

Në rajonin e Kaukazit Verior në Rusi, rrjetet kryengritese mund të jenë më reale. Të hënën, zyrtarët rusë publikuan të dhënat e fundit të dhunës nga ekstremistët islamikë.

Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, 47 sulme me armë automatike dhe bomba kanë shaktuar vdekjen e 39 njerëzve dhe plagosjen e 105 të tjerëve. Viktimat ishin kryesisht ushtarë ose policë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG