Lidhje

Shqipëri - Partitë politike përfundojnë aleancat parazgjedhore


Përgatitjet Zgjedhore në Shqiperi
Përgatitjet Zgjedhore në Shqiperi

Mbizotërimi PD dhe PS është pothuajse i plotë, ndërsa të gjithë të tjerët vetëm mund të japin ndihmesa në fushatë, me shpresa të një ripozicionimi pas zgjedhjeve.

Pak orë para se të skadojnë afatet ligjore për ndërtimin dhe regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore, në selitë e dy partive kryesore vazhdoi nënshkrimi i marrëveshjeve me partitë e vogla deri afër mesnatës. Partia Demokratike arriti të ndërtojë një aleancë me 25 parti të djathta dhe të qendrës, duke premtuar vazhdimin e reformave dhe përmirësimin e jetës së vendit. Në një takim të gjerë me kryetarët e këtyre partive, kryeministri Sali Berisha deklaroi se “partitë e kësaj aleance të re mund të përsëritin një fitore të ngjashme me atë të 20 vjetëve më parë kur u përmbys komunizmi, dhe nisi pluralizmi politik”.

Edhe në selinë e Partisë Socialiste të opozitës kishte vizitorë deri vonë. I fundit që doli me një marrëveshje të re me ps ishin drejtuesit e një partie demokristiane, një nga lëvizja çame dhe një social-demokrate. Përshtypje më të madhe bëri në opinionin publik rikthimi i LSI-së në krah të PS, qysh nga shkëputja para 8 vjetëve, apo edhe shkrirja e ndonjë partie të vogël të majtë me partinë e origjinës. Kryetari i PS, Edi Rama shprehu edhe ai sigurinë në fitoren e koalicionit të majtë, i cili disa ditë më parë bashkoi mbi 35 parti të ndryshme.

E djeshmja ishte një ditë bisedimesh të shpejta dhe të nxehura nga shpejtësia e minutës së fundit. Dy parti të reja të sapokrijuara si FRD dhe AK vendosën të konkurrojnë të vetme në zgjedhjet e 23 qershorit për ta matur peshën e tyre në shoqërinë shqiptare dhe për të ofruar një alternativë të tretë për votuesit që nuk pëlqejnë dy koalicionet e mëdha duke hyrë në parlamentin e ri përmes kësaj rruge.

Megjithëse kanë mbledhur kaq shumë parti të vogla të rreth vetes, këto dy aleanca treguan edhe një herë se peshën më të madhe në jetën politike të vendit e luajnë dy partitë e mëdha. Mbizotërimi i PD dhe PS është pothuajse i plotë, ndërsa të gjithë të tjerët vetëm mund të japin ndihmesa në fushatë, me shpresa të një fitoreje dhe ripozicionimi pas zgjedhjeve.
XS
SM
MD
LG