Lidhje

Shpërthimet e Bostonit, hetuesit amerikanë në Dagestan


Hetuesit amerikanë intervistuan në republikën ruse të Dagestanit, prindërit e dy vëllezërve të dyshuarve për shpërthimet e javës së kaluar në maratonën e Bostonit, për të përcaktuar çfarë mund të ketë ndikuar tek ta.

Autoritetet amerikane që po punojnë me forcat ruse të sigurisë intervistuan prindërit të mërkurën dhe thirrën përsëri për pyetje nënën e tyre Zubeidat Tsarnaev.

Hetuesit janë të interesuar të mësojnë për ndonjë kontakt që vëllai i madh Tamerlan Tsarnaev, mund të ketë patur me ekstremistët islamikë gjatë një vizite gjashtë mujore vitin e kaluar në Dagestan dhe Çeçeni.

Ligjvënësit amerikanë diskutuan të njëjtën çështje dje ndërsa ngritën shqetësime rreth shkëmbimit të informacioneve të zbulimit mes agjencive federale të rendit.

Senatori Lindsey Graham tha se FBI-ja i tha atij se nuk ishte në dijeni të udhëtimeve të Tsarnaevit në atë kohë.

Shefja për Sigurinë Kombëtare Janet Napolitano i tha Komisionit të Zbulimit të Senatit se agjencia e saj ishte në dijeni të udhëtimit, por se një paralajmërim i FBI-së për Tsarnaevin kishte skaduar, në kohën që ai u kthye.

FBI-ja e kishte intervistuar Tsarnaev në vitin 2011 me kërkesën e Rusisë por nuk gjeti ndonjë lidhje me terrorizmin në atë kohë.
XS
SM
MD
LG