Lidhje

Bibliotekat presidenciale në SHBA


Këto institucione janë qendra zyrtare të arkivave presidenciale, të cilat mbikqyren dhe administrohen nga Arkivat Kombëtare

Nesër, ish presidentët amerikanë dhe anëtarë të kabinetit do të mblidhen në Dallas të Teksasit për përurimin e Bibliotekës dhe Muzeut Presidencial George W. Bush. Çdo president që nga Herbert Hoover, i cili u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 1933 ka hapur një bibliotekë. Këto institucione janë qendra zyrtare të arkivave presidenciale, të cilat mbikqyren dhe administrohen nga Arkivat Kombëtare, por në të njëjtën kohë ato shërbejnë edhe si pika edukimi.

Presidenti Lyndon Baines Johnson, LBJ, vdiq në vitin 1973, por një statujë e tij si e gjallë përshëndet vizitorët në bibliotekën e tij në Austin të Teksasit.

Për vizitorët kjo është argëtuese.

Pas një rinovimi prej 10 milion dollarësh, biblioteka presidenciale LBJ është tani më interaktive dhe me ekspozita të kompjuterizuara.
Vizitorët mund të dëgjojnë disa prej më shumë se 640 orë bisedash telefonike të Presidentit Johnson të regjistruara për brezat e ardhshëm, si kjo me senatorin republikan, Everett Dirksen.

Lyndon Johnson mori detyrën e presidentit pas vrasjes së Presidentit John F. Kennedy më 22 nëntor 1963. Dhe megjithëse ai bëri realitet ligjet mbi të drejtat civile dhe programe kundër varfërisë, trashëgimia e tij është mjegulluar nga lufta e Vietnamit

Drejtori i bibliotekës LBJ, Mark Updegrove thotë se bibliotekat presidenciale kanë për qëllim të japin një pasqyrë të plotë të mandateve presidenciale.

“Nuk varet nga ne që të drejtojmë historinë dhe t’u themi njerzve si të mendojnë. Objektivi ynë është që njerzit ta dinë se çfarë bëri ky president dhe si ndikuan politikat e tij tek jeta e amerikanëve. Vetë njerëzit duhet të konkludojnë se çfarë mendojnë ata për këtë president”.

Bibliotekat presidenciale ofrojnë mundësi për studime historike dhe dokumentare. Zoti Updegrove thotë ky aspekt pasqyron hapjen e një shoqërie demokratike.

“Këto të dhëna i takojnë popullit, jo presidentit në emër të të cilit është hapur biblioteka”.

Jo shumë larg po në Austin ndodhet një bibliotekë tjetër presidenciale, ajo e George Herbert Walker Bush-it.

Si disa biblioteka të tjera presidenciale, kjo ka një zyrë ovale të një shkalle të vogël. Drejtori Warren Finch thotë se kjo zyrë tërheq shumë vizitorë.

“Ne mendojmë se një prej misioneve tona kyçe në muzeumet tona dhe programat edukative është të flasim rreth edukimit civil, si funksionon kushtetuta dhe si funksionon qeveria në praktikë”.

Teknologjia moderne u siguron këtyre bibliotekave një thesar të çmuar imazhesh dhe regjistrimesh audio, por zoti Finch thotë se menaxhimi i këtij materiali përbën vështirësi.

“Ne kemi rreth një milion fotografi dhe 10 mijë video kaseta”.

Për bibliotekat presidenciale, ruajtja dhe menaxhimi i materialeve me rëndësi historike është një ndërmarrje e vazhdueshme, që bëhet edhe më e vështirë nga madhësia e koleksionit që ato kanë.


XS
SM
MD
LG