Lidhje

Vizita e debatueshme e kryeministrit turk në Gazë


Kryeministrit turk Erdogan
Kryeministrit turk Erdogan

Kjo visitë thellon një mosmarrëveshje diplomatike mes Uashingtonit dhe Ankarasë

Mes Washingtonit dhe Ankarasë është duke u thelluar një mosmarrëveshje diplomatike lidhur me vizitën e planifikuar të kryeministrit turk në Rripin e Gazës. Ankaraja ka hedhur poshtë një kërkesë publike të Uashingtonit për shtyrjen e vizitës së planifikuar për muajin e ardhshëm.

Ankaraja ka kritikuar ashpër një kërkesë të Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry për shtyrjen e një vizite të planifikuar nga kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, në enklavën palestineze të Gazës.

Sekretari Kerry paralajmëroi se vizita e zotit Erdogan mund të minojë përpjekjet e kohëve të fundit për rigjallërimin e bisedimeve të paqes mes palestinezëve dhe izraelitëve. Zëvendëskryeministri turk Bulent Eçevit e hodhi poshtë këtë argument.
Ai thotë se Ankaraja mendon se kjo kërkesë është jo diplomatike dhe ai do që bota ta dijë se Turqia ka fuqinë të bëjë atë që dëshiron.
Komentatori për diplomacinë Semih Idiz i gazetës turke “Taraf”, thotë se vizitën në Gazë zoti Erdogan do ta bëjë, duke marrë parasysh opinionet që ekzistojnë brenda në Turqi.

“Kjo vizitë lidhet me politikat e brendshme dhe me imazhin e tij mes përkrahësve islamikë në rajon. Tani ai është duke prekur një problem delikat, sepse është e qartë, që kërkesa e madhe strategjike është që ai të pajtohet me Izraelin dhe të vazhdojë procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Njëkohësisht ai do që në opinionin publik brenda vendit të lerë përshtypjen se po e mban fjalën për angazhim me Gazën.”

Zoti Erdogan ka marrëdhënie të mira me udhëheqjen e Hamasit që kontrollon Rripin e Gazës.
Gazetari Idiz thotë se Ankaraja beson se mund t’i fuqizojë përpjekjet e bashkimit mes Hamasit dhe grupit rival palestinez Fatah, që kontrollojnë Bregun Perëndimor.

“Ministri i Jashtëm Davutoglu tha se problemi nuk është tek vizita e Erdoganit në Gazë, por tek pajtimi i Palestinezëve. Eshtë folur se bisedimet e pajtimit mes Fatahut dhe Hamasit janë duke u përshpejtuar, por nuk mendoj se ai do të duket si një person që do ta prishë pajtimin mes palestinezëve dhe pikërisht këtu qëndron vështirësia.”

Pas acarimeve disa mujore, marrëdhëniet mes Turqisë dhe Izraelit u përmirësuan kohët e fundit, kur Izraeli i kërkoi falje Turqisë për vrasjen në vitin 2010 të 9 turqve në bordin e një anijeje me ndihma, që ishin nisur drejt Rripit të Gazës, në përpjekje për të prishur embargon ekonomike të Izraelit.
Presidenti amerikan Barak Obama, gjatë vizitës së tij në Izrael, ndihmoi si ndërmjetësues, duke e bindur kryeministrin izraelit t’i kërkojë falje Turqisë.

Mosmarrëveshja lidhur me vizitën e zotit Erdogan në Gazë mund të errësonte vizitën e planifikuar prej tij përnë fillim të majit në Uashington. Zoti Kerri tha se vizita mund të jetë në axhendë.

“Ne mendojmë se do të ishte më mirë të pritej për rrethanat e përshtatshme. Unë mendoj se kryeministri turk nuk u nxitua dhe u tregua i kujdeshëm dhe i matur. Në se do të jetë e nevojshme, sigurisht që ne mund të bisedojmë më tej për këtë çështje kur ai të vijë në Uashington.”

Studjuesi i shkencave politike Cengiz Aktar në Universitetin e Stambollit Bahcesehir, thotë se presioni diplomatik i Shteteve të Bashkuara ndaj zotit Erdogan pritet të shtohet.

“Amerikanët kanë një tjetër axhendë. Ata do të përsërisin dhe do të bëjnë gjithshka munden që kryeministri turk të mos shkojë në Gazë. Por kjo do të prishte marrëdhëniet mes të dy vendeve. Në fund të fundit, zoti Erdogan mund t’i bindet kërkesës së zotit Kerry dhe administratës Obama.”

Tani për tani, zoti Erdogan e ka përjashtuar një ndryshim të planit të tij për të vizituar Gazën.
XS
SM
MD
LG