Lidhje

Kosova dhe Serbia pa plan për marrëveshjen


Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, dështuan të merren vesh mbi planin për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre

Delegacioni i Kosovës dhe Serbisë dështuan pas dy ditë bisedimesh që të pajtohen për një plan të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre që është arritur më 19 prill.

Çështja tash pritet të diskutohet në një takim të ri ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç që pritet të mbahet më 21 maj.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha pas takimit se delegacioni i Kosovës ka paraqitur gatishmërinë për hartimin e planit, që do të sqaronte veprimet konkrete të institucioneve vendase e ndërkombëtare, që do të ndalonte veprimin e strukturave paligjshme të sigurisë dhe drejtësisë, që do mundësonte përgatitjet për ngritjen e strukturave institucionale sipas ligjeve të Kosovës dhe që të mbahen zgjedhjet lokale në tërë Kosovën këtë fundvit.

Më vjen keq ta them se nuk kemi arritur që të kemi një plan të implementimit. Natyrisht, që janë ofruar drafte edhe me datën 26 prill nga zoti Gentilini edhe ditën e sotme. Ne më 26 prill kemi dhënë pajtueshmërinë tonë. Sot kemi pasur vërejtje në qasjen e integrimit të strukturave ilegale të sigurisë. Ne mendojmë se ato duhet të shkojnë përmes një procesi të konkursit, ndërsa pala serbe ka qasje tjetër. Më vjen keq që ata mendojnë që nga kjo marrëveshje të arrijnë një marrëveshje tjetër, apo ndryshe ta them, të flasim për çështje që nuk janë fare në marrëveshje, që mund të jetë një humbje kohe, ose më shume një dhënie e përshtypjes që po diskutohet për gjëra të tilla para partnerëve ndërkombëtar”, tha zoti Kuçi gazetarëve.

Ndërkaq shefi i delegacionit serb Marko Gjuriç, tha se Beogradi mori pjesë në takim me qasje konstruktive dhe i gatshëm të zbatojë pikë për pikë marrëveshjen, duke fajësuar Prishtinën për dështimin e bisedimeve.

Jemi përballur me faktin që delegacioni shqiptar lëshoi bisedimet dhe më nuk do të marrë pjesë në këto bisedime. Do ta them publikisht atë që ua kemi thënë edhe drejtpërdrejtë. I thërras që të kthehen në tryezën e bisedimeve, nuk ka vend dhe kohë më të mirë për të zgjidhur problemet tona, nuk ka rrethana më të mira për të hartuar planin e zbatimit, i cili do të jetë në interes të të dyja palëve. Dëshirojmë që kjo të kuptohet në Prishtinë dhe ky dialog të vazhdojë, pasi që është i një rëndësie të madhe për të dyja palët”, tha ai.

Ndërsa zoti Kuçi tha se pala serbe ka kërkuar të diskutohen çështje që nuk janë pjesë e marrëveshjes si pozita e Kishës Ortodokse apo çështjet e pasurisë..

Nuk kemi mandat për një gjë të tillë, nuk është çështje që duhet ta debatojmë. Unë si në shaka kam thënë, por edhe seriozisht se atëherë po flasim për Luginën e Preshevës , për gjenocidin e Serbisë, për kohën e (Slobodan) Millosheviçit, dëmet e luftës, pastaj duhet të flasim për energjetikën, telekomunikacionin dhe të pagjeturit, dhe jo për tema që janë mbyllur dhe hapja e tyre hap telashe dhe nuk ka arsye që të jenë temë e përbashkët me Serbinë”, tha zëvendëskryeministri Kuçi.

Më 19 prill Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje që u siguron serbëve në komunat veriore përgjegjësi në fushën e policisë dhe gjyqësisë.

Por përfaqësuesit e serbëve në atë zonë kundërshtojnë marrëveshjen. Zëvendëskryeministri serb Aleksandër Vuçiç, pritet që këtë fundjavë të qëndrojë në veri të Kosovës në përpjekje për të bindur serbët në zonë që të pranojnë dhe zbatojnë marrëveshjen, meqë këta të fundit e shohin atë si të dëmshme për Serbinë.

Autoritetet në Beograd thanë se duan të sigurojnë pajtimin e tyre për zbatimin e marrëveshjes e cila duhet dhe do të zbatohet.

Marrëveshja është mbështetur nga diplomacia euro perëndimore e cila e sheh atë si një hap të të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane.

Komisioni Evropian miratoi propozimin që Serbisë t’i jepet data e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës ajo e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Por, vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për këtë çështje që do të merret në fund të muajit qershor, varet nga zbatimi i marrëveshjes ndërmjet dy vendeve.
XS
SM
MD
LG