Lidhje

VOA - 70 vjetori i transmetimit të parë në shqip, Pjesa II


Motoja e Zërit të Amerikës mbetet ajo që ishte në transmetimin e parë në gjermanisht, "lajmet mund të jenë të mira, lajmet mund të jenë të këqija, ne do t’ju themi të vërtetën".

Këtë javë, Shërbimi Shqip i Zërit të Amerikës festoi 70 vjetorin e transmetimit të parë në gjuhën shqipe. Sot ju ftojmë të ndiqni pjesën e dytë të materialeve të përgatitura nga kolegët Zamira Edwards dhe Julian Zyla. Ndërkohë, pjesën e parë, që transmetuam dje mund ta ndiqni tashmë në youtube.

Që prej transmetimit të tij të parë në shqip, për punonjësit e Zërit të Amerikës objektivi dhe misioni i këtij institucioni mbetet i njëjtë ashtu siç u tha në transmetimin e parë të Zërit të Amerikës në gjarmanisht: lajmet mund të jenë të mira, lajmet mund të jenë të këqija, por ne do t’ju themi të vërtetën.

VOA - 70 vjetori i transmetimit te pare ne shqip, Pjesa II
please wait

No media source currently available

0:00 0:08:50 0:00

Në ceremoninë e 70 vjetorit të transmetimit të parë në gjuhën shqipe të Zërit të Amerikës, u paraqit një histori e përmbledhur e këtij shërbimi.

Zëri i Amerikës transmetoi për herë të parë në shqip më 13 maj të vitit 1943, pas më shumë se një viti që nga ai transmetim i parë i Zërit të Amerikës në gjermanisht. Pas një ndërprerjeje prej rreth 5 vjetësh, Shërbimi shqip i Zërit të Amerikës rifilloi transmetimin e pandërprerë deri më sot me lajme dhe informacione për një audiencë, ku shtypi i lirë nuk ekzistonte, shoqëria nuk e besonte, duke bërë që shumë shqiptarë të ndiqnin transmetimet e Zërit të Amerikës, megjithëse një gjë e tillë konsiderohej krim.

Përmbysja e komunizmit në Evropën Lindore krijoi një dritare mundësish për Zërin e Amerikës në shqip që të luante një rol edhe më të madh në informimin e shqiptarëve rreth zhvillimeve që ndikonin në jetën e tyre direkt ose indirekt.

“Ne kontribuam duke mbajtur shpresën gjallë në një kohë kur njerëzit në ato shoqëri nuk kishin asnjë shpresë, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara shqetësoheshin për fatin e atyre njerzve dhe po bënin përpjekje për t’i nxjerrë ata nga situata në të cilën ndodheshin”, tha Drejtori i Divizionit të Euroazisë Elez Biberaj.

Shërbimi shqip i Zërit të Amerikës mbuloi një numër ngjarrjesh që çuan në ligjësimin e partive politike të opozitës, heqja e emrit të diktatorit Enver Hoxha nga universiteti i Tiranës dhe zgjedhjet e para shumë partiake që prej viteve 1920-të. Nga fundi i viteve 90-të Zëri i Amerikës mbuloi gjerësisht fushatën shtypjese të ish presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës si dhe ndërhyrjen e NATO-s dhe krizën e refugjatëve. Shërbimi shqiptar hapi një linjë emergjente telefonike, ku refugjatët linin mesazhet e tyre duke kërkuar pjesëtarë të familjes, nga të cilët ishin shkëputur.

Shefi i Shërbimit shqiptar, Arben Xhixho kujtoi përvojën e tij kur shkoi në Kukës gjatë krizës së refugjatëve:

“Unë shkova në Kukës, ku shumica e refugjatëve nga Kosova hynin në Shqipëri. Ka disa momente në jetë që njeriu nuk i harron kurrë dhe për mua kriza e regugjatëve është diçka që nuk do ta harroj kurrë. Ishte e vështirë të shikoje gjithë ata njerëz, burra, gra, të rinj e të moshuar, fëmijë që kalonin kufirin. Megjithatë, në mes të kësaj krize humanitare, Zëri i Amerikës iu gjend pranë nevojave të tyre, duke shërbyer si burim informimi dhe një linjë jete pasi çdo gjë në vendin e tyre nuk ekzistonte”.

Në nëntor të vitit 1999, Zëri i Amerikës filloi transmetimin e programit televiziv Ditari, duke i krijuar shërbimit shqip më shumë mundësi që të tërhiqte një audiencë më të madhe. Sot Shërbimi Shqip punon në një mjedis krejt ndryshe krahasuar me transmetimin e parë para 70 vjetësh, herë herë duke konkuruar me mediat në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Në ceremoninë e 70 vjetorit, të pranishmit patën rastin të njihen nga afër me historinë e dy kolegeve tona, Isabela Çoçoli dhe Zamira Edwards. Me anë të një montazhi të shkurtër, ato u përpoqën të njihnin të ftuarit me arratisjen e tyre, pas një jete tepër të vështirë në Shqipërinë komuniste.

Zamira, e cila filloi punën në Zërin e Amerikës bashkë me motrën e saj Isabela, pas arratisjes së tyre nga Shqipëria me not në gusht të vitit 1984, nga Saranda për në Korfuz, tha se kurrë nuk e kishte imagjinuar se një ditë do të punonte për Zërin e Amerikës, të cilin ajo e përshkroi si një " mision fisnik".

“Viti 1985 shënoi fillimin e një kariere plot mundësi, detyrime dhe përgjegjësi, që vazhdojnë edhe sot; mundësi, detyrime dhe përgjegjësi që nuk i gjen askund tjetër. Për mua, puna në Shërbimin Shqip ka qënë një profesion i mrekullueshëm, gjatë të cilit kam qënë pjesë e transmetimit të parë të drejtpërdrejtë nga Shtëpia e Bardhë e vizitës së parë të presidentit të parë të Shqipërisë i zgjedhur në mënyrë demokratike, vizitës në Amerikë të presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe presidentes së tanishme të Kosovës. Rënia e komunizmit, spastrimi etnik në Kosovë kriza e pashmbullt e refugjatëve dhe disa vjet më vonë pavarësia e Kosovës; intervista me Eli Vizel, ngjarrjet tragjike të 11 shtatorit 2001; gjyqi i Sllobodan Millosheviçit dhe lista vazhdon pa fund”.

Në ceremoni foli edhe Ali Ahmeti, kryetar i Unionit Demokratik për Integrim të Maqedonisë.

Profesor Nicholas Pano, i njohur për studimet e tij rreth Shqipërisë, Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi kujtoi se si prindërit e tij dëgjonin Zërin e Amerikës.
Në emër të ish punonjësve të Zërit të Amerikës, Frank Shkreli, ish shef i Shërbimit Shqip dhe ish Drejtor i Divizionit Evropian kujtoi vitet e shërbimit të tij gjatë Luftës së Ftontë kur punonjësit e shërbimit nuk e dinin nëse kishin apo jo audiencë, dhe pas përmbyrjes së komunizmit, tha ai, ne mësuan se kishin audiencë, madje një audiencë të madhe.

Ceremonia u mbyll me përshëndetje nga punonjësit e Zërit të Amerikës.
XS
SM
MD
LG