Lidhje

Konflikti mes Turqisë dhe Sirisë


Turkey - Syria Flags
Turkey - Syria Flags

Pas sulmeve me bombë në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë tensionet mes të dy vendeve janë të larta

Sulmet e dy-fishta me bombë në qytetin Reyhanli, pranë kufirit të Turqisë me Sirinë, që lanë 48 të vrarë dhe mbi 100 të plagosur, kanë shtuar frikën se Turqia është duke u tërhequr drejt luftës civile të Sirisë, ndërsa qeveria turke po ndeshet me kritika në rritje për mbështetjen e opozitës në Siri.

Kryeministri i Turqisë Turkish Recep Tayyip Erdogan ka dalë publikisht si një nga udhëheqësit lokalë të rajonit që mbështet kryengritjen kundër presidentit sirian Bashar al-Assad.

Por kur dhuna kaloi brenda kufirit turk, me bombardimet e fundjavës së kaluar, kritikat e publikut ndaj përfshirjes së qeverisë në konfliktin e vendit fqinj, u shtuan.
Cengiz Aktar, studjues në Universitetin Bahcesehir të Stambollit, thotë se bombardimet kanë shtuar shqetësimin e publikut lidhur me politikën e qeverisë turke për mbështetjen e forcave rebele në Siri.

“Më parë nuk kanë ndodhur bombardime të tilla në Turqi. Shumë njerëz i shohin si pasoja indirekte të politikës ndaj Sirisë. Ajo që i shqetëson njerëzit në Turqi është se vendi mund të zhytet në konflikt dhe ndjehet frika për bombardime të tjera të këtij lloji në rajone të tjera.”

Pas bombardimeve të së shtunës së kaluar në Reyhanli, pati protesta kundër qeverisë në qytetin kufitar Antakya dhe në kryeqytetin e vendit, Ankara. Të hënën pati protesta edhe në Reyhanli.

Pas kritikave ndaj qeverisë, kryeministri Erdogan i doli në mbrojtje politikës së tij, duke paralajmëruar se qëllimi i autorëve të sulmit ishte të mbillnin përçarje.


Synimi i këtyre sulmeve, tha ai, ishte të krijonin “armiqësi dhe çrregullime” brenda në Turqi dhe “të krijonin pikëpyetje tek mendjet e popullit tim.”

Vëzhguesit thonë se zor që qeveria turke do të ndryshojë politikën e mbështetjes së opozitës në Siri.
Por shqetësimi i publikut lidhur me politikën e qeverisë ndaj Sirisë mund t’i ndryshojë zgjedhjet e qeverisë për hakmarrje ndaj Damaskut, thotë
Sinan Ulgen, drejtor i institutit kërkimor Edam me bazë në Stamboll.

“Unë mendoj se publiku nuk e mbështet konfrontimin e drejtpërdrejt ushtarak me Sirinë. Por kur ndodhi shpërthimi në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë, reagimi i qeverisë turke ishte dërgimi i një ekipi special në ndjekje të autorëve të sulmit dhe më pas ata u kthyen në Turqi.”

Kur refugjatët sirianë hynë fillimisht në Turqi në vitin 2011, ata u pritën në përgjithësi mirë. Por tani qëndrimi ndaj tyre ka ndryshuar. Pas sulmeve në Reyhanli, pasti njoftime për sulme ndaj banesave dhe makinave të refugjatëve sirianë. Analisti Ulgen thotë se dhuna flet për një prirje shqetësuese.

Vëzhguesit paralajmërojnë se, në kushtet e vërshimit të refugjatëve sirianë në kufirin turk, tensionet mes refugjatëve dhe turqve lokalë mund të rriten.

Ndërkohë, Ankaraja i ka bërë thirrje vendeve të tjera të veprojnë kundër qeverisë së Assadit.

Të hënën, presidenti amerikan Barack Obama dhe kryeministri britanik David Cameron ritheksuan vendosmërinë e tyre për të arritur një zgjidhje të negociuar për t’i dhënë fund luftës civile në Siri, përmes një konference për paqen.
XS
SM
MD
LG