Lidhje

Muzeu i medias nderon gazetarët e vrarë në 2012

  • Carolyn Pressuti

Amendamenti i parë i Kushtetutës amerikane garanton lirinë e shprehjes dhe mbron lirinë e shtypit. Por në shumë vende, gazetarët nuk lejohen të njoftojnë për lajmet, apo të kritikojnë qeveritë e tyre dhe ndëshkohen ose edhe vriten, nëse e bëjnë një gjë të tillë. Dhe në zona lufte, gazetarët gjenden shpesh në mes të zjarrit. Rreziqet ndaj gazetarëve bien në sy nga numri i të vrarëve në detyrë.


Këta janë gazetarët që donin të sillnin lajmet tek audienca e tyre.

Ata u vranë vitin e kaluar në krye të detyrës. Newseum, muzeu i medias në Washington ka shtuar 82 emra në Përkujtimoren e Gazetarëve.

Fotoreporteri Ahmed Ismael Hassan al-Samadi u vra në Bahrain ndërsa xhironte një protestë antiqeveritare.

Babai i tij Ismail e ruan kamerën që përdorte i biri kur u vra. Askush nuk është akuzuar për vdekjen e tij.

“Shpresoj që drejtësia të vihet në vend për çdo të rënë, të gjithë ata që janë vrarë këtë vit dhe në vitet e kaluara. Dhe shpresoj që të zbatohet drejtësia”.

Kjo është një pjesë nga transmetimet e fundit të gazetarit të Zërit të Amerikës Mukarram Khan Aatif. Ai u vra nga persona të armatosur, ndërsa lutej në një xhami në Pakistan.

Aatif është një nga mbi 2 mijë e 200 gazetarët në murin e Museum-it, të gjithë të vrarë në detyrë, shpesh në vende që nuk kanë lirinë e shtypit, apo janë të përfshirë nga lufta. Siria ishte vendi më vdekjeprurës për gazetarët, me 29 të vdekur.

Korrespondenti i televizionit NBC Richard Engel, e njeh këtë rrezik. Ai dhe ekipi i tij, u rrëmbyen vitin e kaluar në Siri dhe u shpëtuan pas pesë ditësh.

“Ke zona të vendit që drejtohen nga një grup dhe zona të tjera që drejtohen nga një grup tjetër, kryeqyteti është në duart e qeverisë dhe e ke të vështirë të kalosh nga një hapësirë politike në tjetrën kur nuk e di se kujt t’i besosh, kush ka mundësinë të të ndihmojë”.

Vendi i dytë më i rrezikshëm për gazetarët vitin e kaluar ishte Somalia me 12 të vrarë, pasuar nga Brazili dhe Pakistani. Ata gazetarë, radhiten në memorial, me të tjerë, që nga viti 1837.

Richard Engel thotë se këta gazetarë vdiqën duke bërë një punë që e donin. Jo në një tavolinë, por me çizme lufte dhe një laps në dorë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG