Lidhje

Oklahoma: 24 viktima të nxjerra nga rrënojat


Zyrtarët kishin njoftuar më parë për 51 të vrarë nga tornadoja që goditi të hënën pasdite distriktin Moore të Oklahomës

Zyrtarët në Oklahoma thonë tani se numri i trupave të nxjerrë nga rrënojat që shkaktoi tornadoja e djeshme në këtë shtet është 24. Më parë ishte njoftuar për 51 të vrarë. Por zyrtarët thanë se mund të ketë edhe viktima të tjera. Sipas tyre, numri i të plagosurve deri tani është 240.

Pjesë të mëdha të periferisë Moore të qytetit të Oklahomës u shkatërruan plotësisht nga tornadoja, e cila rrafshoi lagje të tëra. Autoritetet thonë se mes viktimave janë edhe fëmijë që ndodheshin brenda një shkolle në kohën e tornados, e cila kishte një shpejtësi prej 320 kilometrash në orë.

Ekipet e shpëtimit arritën të nxjerrin të gjallë disa fëmijë nga rrënojat e dy shkollave të goditura ndërkohë që fëmijë të tjerë rezultojnë të zhdukur.Gjatë kalimit të saj, tornadoja ngrinte në ajër copra rrënojash, duke shkaktuar shumë të plagosur.

Guvernatorja e Oklahomës Mary Fallin ka mobilizuar trupat e Gardës dhe policë shtesë për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit.

Shtëpia e Bardhë e ka shpallur gjendjen katastrofë të përmasave të mëdha dhe ka urdhëruar Agjencinë Federale të Emergjencave të japë çdo ndihmë për të cilën ka nevojë Oklahoma.

Shërbimi Sinoptik Kombëtar e ka klasifikuar tornadon të tipit EF-4, stuhia e dytë më e fuqishme sipas shkallës me pesë shifra që mat forcën e shkatërrimit të saj.

Kjo ështe tornadoja më vdekjeprurëse në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2011, kur në Joplin të shtetit Mizuri u vranë 161 vetë. Distrikti Moore i Oklahomës është goditur nga tornadoja edhe në vitin 1999.


GUVERNATORJA FALLIN MOBILIZON GARDËN KOMBËTARE

Guvernatorja e Oklahomës, Mary Fallin tha në një konferencë shtypi se "zemrat janë thyer'' për prindërit të cilët pyesin në lidhje me fatin e fëmijëve të tyre. Ajo premtoi se nuk do të kursejë asnjë mjet për të ndihmuar komunitetin të rimëkëmbet nga katastrofa.

Guvernatorja Fallin ka dislokuar 80 anëtarë të Gardës Kombëtare për të ndihmuar me operacionet kërkim-shpëtim.

Guvernatorja foli gjithashtu me presidentin Barak Obama, i cili i kërkoi agjencisë Federale për Menaxhim Emergjent, FEMA, të ofrojë çdo ndihmë që ajo ka nevojë.

Një mot me stuhi të forta pritej në të gjitha pjesët e tjera të rajonit të mesëm perëndimor në SHBA. Një stuhi të dielën vrau dy vetë në Oklahoma.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG