Lidhje

Përpjekje rimëkëmbjeje në Oklahoma


Tornado e së hënës që goditi qytezën Moore të Oklahomës, sipas analistëve, mund të jetë një nga më të kushtueshmit në historinë e Shteteve të Bashkuara, me dëme ekonomiek me vlerën e 1,5 deri në 3 miliardë dollarë. Ndërkohë, vazhdojnë përpjekjet për të ndihmuar njerëzit e prekur nga stuhia vdekjeprurëse, që përshkoi një zonë 3 kilometra të gjerë dhe rreth 30 kilometra të gjatë në Oklahomën qendrore, duke shkaktuar vdekje dhe shkatërrim.

Guvernatorja e Oklahomës Mary Fallin premtoi dje se shteti i saj do të rimëkëmbet.

“Në mes të tragjedisë dhe humbjes së jetës, ne kemi parë forcën dhe kurajon e qytetarëve tanë dhe ne do ta kapërcejmë këtë gjendje, do të rindërtojmë dhe do të ngrihemi përsëri”.

Tornadoja la shumë vetë pa shtëpi, përfshirë banorin e distriktit Moore Chris Palmer.

“Do të duhet kohë sa të rindërtojmë, që famijet të marrin veten. Shikon gjëra të tilla në filma, por është ndryshe kur e ke përballë syve”.

Administratori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave Craig Fugate tha se kjo agjenci do të bëjë të pamundurën që ata që kanë mbetur pa shtëpi të gjejnë strehim të përshtatshëm. Ai u bëri gjithashtu thirrje të mbijetuarve që të njoftojnë për gjendjen e tyre.

“Një nga sfidat me ngjarje të tilla është se ngaqë përmasat e shkatërrimit janë të mëdha, është e vështirë të kesh informacion të saktë për njerëzit që kanë humbur. Kështuqë nëse jetoni në zona të prekura nga tornadoja, njoftoni që jeni mirë, që të mos kontrollojmë për njerëz që nuk kanë nevojë”.

Zyrtarët u kanë kërkuar banorëve dhe vullnetarëve që të mos bllokojnë rrugët kryesore që përshkojnë zonat e katastrofës, në mënyrë që përpjekjet e rimëkëmbjes të jenë më të shpejta. Ata thanë se sistemi i paralajmërimit kishte dhënë lajmërim me kohë para stuhisë. Susan Pierce, kryeinspektore e shkollave publike të distriktit Moore tha se shumë jetë ishin shpëtuar duke ndjekur procedurat e strehimit në çdo shkollë.

“Administratorët, personeli, mësuesit dhe nxënësit filluan menjëherë të zbatojnë planin e krizave. Ne e ndoqëm ndryshimin e kohës gjatë gjithë ditës dhe kur ishte momenti për t’u strehuar, i strehuam njerëzit”.

Presidenti Barack Obama premtoi ndihmë federale për përpjekjet e rimëkëmbjes. Kjo detyrë është e vështirë. Ndërkohë, Oklahoma dhe shtetet përreth po bëhen gati të përballojnë më shumë tornado dhe stuhi në ditët në vazhdim.
XS
SM
MD
LG