Lidhje

Në kryeqytetin suedez, Stokholm gjatë tre netëve të fundit, qindra të rinj u kanë vënë zjarrin makinave dhe kanë sulmuar policinë dhe shërbimet e shpëtimit në disa periferi të varfra emigrantësh të qytetit. Trazirat janë më të rëndat që prekin Suedinë prej shumë vitesh.

Mbrëmë u sulmua një stacion policie në veriperëndim të qytetit, u dëmtuan dy shkolla dhe u dogj një dyqan, pavarësisht thirrjes për qetësi të bërë nga kryeministri suedez Fredrik Reinfeldt.

Trazirat në Stokholm, një nga kryeqytetet më të pasura të Evropës, kanë tronditur një vend i cili krenohet me emrin që gëzon për drejtësinë sociale, dhe kanë nxitur një debat në lidhje me mënyrën se si Suedia po përpiqet të zgjidhë papunësinë mes të rinjve dhe dyndjen e re të emigrantëve.

Protestat filluan të dielën në periferinë etnikisht të përzier të Stokholmit Husby, duke vazhduar netët e së hënës dhe së martës.
Instruktori i arteve marciale dhe banori i zonës Michel Ersoy tha se nuk i njihte protestuesit e mbrëmshëm dhe mendon se shumë prej tyre mund të kishin ardhur në Husby prej zonave të tjera përreth Stokholmit.

“Nuk njihja asnjërin prej tyre dhe është vërtetë për të ardhur keq që ata shkojnë në vende të tjera dhe djegin makina, i vënë zjarrin një stacioni policie si dhe shkatërrojnë vitrinat. U përpoqa për t’i ndaluar, por...”

Një zëdhënës i policisë në Stokholm tha se natën e mbrëmshme ishin djegur tridhjetë makina dhe ai i lidhi incidentet me ata që i quajti “bandave të rinjsh dhe kriminelë”. Zëdhënësi tha se tetë persona ishin arrestuar.

Trazirat duket të jenë shkaktuar prej vrasjes nga ana e policisë të një 69-vjeçari të armatosur me një hanxhar në Husby, gjë që nxiti akuza për brutalitet të policisë.

“Ne duhet të tregojmë se nuk do të lejojmë që një grup të rinjsh që beson tek përdorimi i dhunës të drejtojë shoqërinë. Ata mendojnë se mund të ndryshojnë gjërat duke përdorur dhunën dhe se mund të bëjnë atë që duan. Por në Suedi, ne kemi rënë dakord në mënyrë demokratike, se ligjet janë të njëjta për të gjithë dhe policia duhet ta garantojë këtë.”

Pas dekadash zbatimi të “modelit suedez” me përfitime të larta ndihme sociale, Suedia ka ulur rolin e shtetit që nga vitet 90, duke u bëri vendi me rritjen më të shpejtë të pabarazisë sociale mes ekonomive të përpauara.
XS
SM
MD
LG