Lidhje

Arrest shtëpie për shtatë të dyshuar për krime lufte


Një gjykatë e drejtuar nga EULEX-i caktoi masën e arrestit shtëpiak për shtatë ish pjesëtarë të UÇK-së që po hetohen nën dyshimet për krime lufte

Në Prishtinë, një trup gjykues i drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, vendosi masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh për shtatë persona të dyshuar për përfshirje në krime lufte.

Sipas EULEX-it, të shtatët po hetohen “për krime lufte kundër popullsisë civile në formën e dhunimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve. Ata civilë janë mbajtur në qendrën e ndalimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Likoc të komunës së Skenderajt. Një i dyshuar gjithashtu po hetohet për vrasjen e një civili si krim lufte”.

Që nga pasditja e së premtes e deri në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës ka zgjatur seanca gjyqësore “për caktimin e masës së sigurisë për të shtatë personat e dyshuar

Në mesin e të dyshuarve janë ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sulejman Selimi, i njohur me emrin e luftës Sulltani, aktualisht ambasador i Kosovës në Tiranë dhe kryetari aktual i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ish komandant i zonës së parë të ish UÇK-së. Në të njëjtin grup janë edhe Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi e Avni Zabeli, të gjithë ish pjesëtarë të UCK-së.

Avokatët mbrojtës thanë se do të apelojnë vendimin meqë, gjykata ka vendosur pa asnjë provë për atë që pretendohet.

Seanca gjyqësore është përcjellë nga grupe qytetarësh, kryesisht ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Fillimi i hetimeve ka nxitur reagime të shumta, ndërsa organizata e dala nga lufta e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë paralajmëruar protesta, duke e akuzuar EULEX-in se, siç thuhet, me përndjekjen e vazhdueshme të luftëtarëve të lirisë, po bënë përpjekje të njollosë luftën çlirimtare të kombit shqiptar.

Kundër këtyre hetimeve kanë reaguar edhe qeveria e Kosovës dhe partitë politike duke bërë thirrje për drejtësi dhe respektim të vlerave të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008. Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndejshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG