Lidhje

BE, dakord të ndihmojë kryengritësit sirianë


Moska e ka kundërshtuar me forcë vendimin dhe tha se do t'i japë Sirisë raketa të sofistikuara për të shmangur çdo ndërhyrje të huaj në vend

Vendimi i Bashkimit Europian për të hequr embargon e armëve ndaj Sirisë, duke hapur mundësinë për armatosjen e kryengritësve, nënvizon një kthesë të re në përpjekjet ndërkombëtare për t'i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm në vend. Ndërkohë, Rusia thotë se heqja e embargos kërcënon mbajtjen e një konference të propozuar të paqes për Sirinë. Moska njoftoi do t'i japë Sirisë raketa të sofistikuara për të shmangur çdo ndërhyrje të huaj në vend.

U deshën më shumë se 12 orë bisedime në Bruksel që ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian të arrinin marrëveshje për të mos e përtëritur embargon e armëve kundër Sirisë, e cila përfundon në fund të javës. Marrëveshja i hap rrugën dërgimit të armatimeve për kryengritësit sirianë. Ministrat ranë dakord gjithashtu për të ripërtërirë të gjitha sanksionet ekonomike kundër qeverisë siriane.

Sekretari i Jashtëm britanik William Hague thotë se ende nuk ekzistojnë plane për të dërguar armë.

"Ky është një sinjal i fortë për regjimin e Asadit, se është e nevojshme që ai të angazhohet në procesin politik dhe, siç e kam thënë gjithmonë, ne do ta ndërmarrin hapin e dërgimit të armëve vetëm në rrethana të kontrolluara me kujdes dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar."

Britania dhe Franca kanë qenë mbështetësit kryesorë për armatosjen e kryengritësve sirianë, ndërsa Austria dhe Suedia nuk ishin dakord, të shqetësuar se kjo mund të përkeqësojë luftën civile në Siri.

Këshilli i Çështjeve të Jashtme të BE-së tha në një deklaratë, se do të rishqyrtojë qëndrimin mbi dërgimin e armëve para datës 1 gusht. Çdo vendim do të vijë pas konsultimeve me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon.

BE-ja njeh Koalicionin Kombëtar sirian si përfaqësues legjitim të popullit sirian dhe dje e inkurajoi fuqimisht këtë grup që të marrë pjesë në bisedimet e paqes.

BE-ja tha se një "opozitë më e fortë dhe më e bashkuar që përfaqëson një alternativë të besueshme për të gjithë sirianët mbetet me rëndësi të dorës së parë" dhe përsëriti nevojën për një zgjidhje politike të konfliktit.

Ndërkohë, Rusia tha sot se heqja e embargos së armëve ndaj Sirisë kërcënon mbajtjen e një konference të propozuar të paqes.

"Bashkimi Evropian në fakt po i hedh më shumë benzinë zjarrit dhe po dëmton perspektivat e mbajtjes së një konference për zgjidhje politike në Siri," tha Zëvendës Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov.

Moska e ka kundërshtuar me forcë armatosjen e kryengritësve sirianë, por ka mbrojtur të drejtën e saj për t'i ofruar armë qeverisë së Sirisë. Zoti Ryabkov tha se Moska do t'i japë Sirisë raketa të sofistikuara për të shmangur çdo ndërhyrje të huaj në vend.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG