Lidhje

Frenimi i krimeve kibernetike


Para dy dekadash, krimet kibernetike pothuajse nuk ekzistonin, ndërsa sot ato janë bërë më të përhapurat në gjithë botën. Sipas përllogaritjeve, kostoja globale e krimeve, që nga programet kompjuterike me viruse e deri qasja e paligjshme e të dhënave, kap shifrën rreth 100 miliardë dollarë dhe po vazhdon të rritet. Përpjekjet për të luftuar këtë problem janë intensifikuar, por debati po shtohet për një mënyrë më efikase për të frenuar ata që kryejnë këto lloj krimesh.

Nuk ka rëndësi se kush je apo ku jeton, nëse përdor kompjuter mund të bëhesh objektiv për kriminelët kibernetikë.

Dhe nuk janë vetëm individët të rrezikuar.

Këtë muaj, Prokurorja për Distriktin Lindor të Nju Jorkut ngriti akuza ndaj tetë personave për sulme kibernetike ndaj bankave të huaja që mund të kishin kapur shifrën prej 45 milionë dollarëve.

“Kjo ishte një përpjekje e shekullit të 21-të për vjedhje bankash, që përdorin internetin, duke pasur ndikim botëror. Por në vend të armëve dhe maskave, kjo organizatë e krimit kibernetik përdori kompjutera dhe viruse”.

Alan Edwards, president i firmës së konsultimit për sigurinë në internet, “Whitehorse Technology Solutions”, thotë se zbulimi i këtij operacioni, dhe lajmi i fundit se sistemet amerikane të mbrojtjes nga raketat mund të jenë komprometuar nga piratët kompjuterikë kinezë, nënvizojnë sofistikimin në rritje të kriminelëve kibernetikë.

“Ata janë shndërruar nga gjeni adoleshentë që përpiqen të hyjnë në sistem se janë të mërzitur dhe nuk kanë ç’të bëjnë, në organizata krimi, të mbështetura nga qeveria”.

Ekspertiza e kompanisë së zotit Edwards është për të dhënë siguri dhe monitorim për trafikun e internetit.

Ai thotë se jo gjithkujt i pëlqen të shpenzojë për këtë shërbim, deri kur e kuptojnë se nëse një sulm është i suksesshëm, kostoja do të ishte shumë më e lartë.

“Për fat të keq, është si të paguash sikuracion makine apo çdo lloj tjetër sikuracioni. Vërtet nuk do që të paguash për të, derisa pëson një aksident”.

Megjithëse shtimi i sigurisë së rrjetit është thelbësor, në Universitetin e Merilendit, profesori i kriminalistikës David Maimon thotë se kjo është vetëm gjysma e zgjedhjes.

“Aktualisht në shkencat kompjuterike dhe në përpjekjet për zgjidhjen e kësaj çështjeje, ne po përqendrohemi tek rrjetet dhe kompjuterat. Është njëlloj sikur një ekspert i kriminalistikës përpiqet të zbulojë se pse dikush kreu një krim duke u përqendruar tek arma, ose dera nga hyri”.

Një nga përfundimet më të debatueshme të zotit Maimon është marrëdhënia mes numrit të studentëve të huaj që hyjnë në një rrjet kompjuterik universiteti, dhe sesa të shpeshta dhe nga vijnë sulmet kibernetike.

“Me fjalë të tjera, ne arrijmë në përfundimin se rritja e numrit të studentëve të huaj që arrijnë nga një rajon i veçantë, rrit me 40 për qind shanset që universiteti ynë të bëhet objekt sulmesh nga ato vende”.

Profesor Maimon thotë se duhen bërë më shumë studime, por një shpjegim mund të jetë që studentët e huaj hyjnë në faqe të komprometuara të vendeve të tyre, duke u dhënë piratëve kompjuterikë, mënyra të reja për të shfrytëzuar. Studimet e profesorit Maimon shpresojnë të bëjnë zbulime të reja duke analizuar motivimet e sulmeve të fundit kibernetike dhe sesi veprimet në internet të një viktime të mundshme, mund të ndihmojnë ose shkurajojnë sulme të ardhshme.

Para dy dekadash, krimet kibernetike pothuajse nuk ekzistonin ndërsa sot ato janë bërë më të përhapurat në të gjithë botën. Sipas përllogaritjeve, kostoja globale e krimeve që nga programet kompjuterike me viruse e deri qasja e paligjshme e të dhënave, kap shifrën rreth 100 miliardë dollarë dhe po vazhdon të rritet. Përpjekjet për të luftuar këtë problem janë intensifikuar, por debati po rritet për mënyrën më efikase për të frenuar ata që kryejnë këto krime.
XS
SM
MD
LG