Lidhje

Kina arrin të hyjë në sistemet amerikane të armëve


Zyrtarë të Pentagonit thonë se hyrja, sipas njoftimeve, e Kinës në sistemet më të avancuara të armëve amerikane nuk ka dëmtuar aftësitë e Shteteve të Bashkuara. Të hënën gazeta Washington Post njoftoi se hakerët kinezë arritën të hynin dhe të kompromentonin dizenjot e sistemeve amerikane të mbrojtjes nga raketat si dhe të aeroplanëve dhe anijeve luftarake.

Raporti sekret i Pentagonit, i cituar nga gazeta Washington Post, jep listën më të hollësishme të sistemeve, që thuhet se hakerët kinezë kanë arritur të hyjnë: Sistemet e mbrojtjes nga raketat, mes tyre ato Patriot, THAAD dhe sistemet mbështetëse. Aeroplanë të sofistikuar luftarakë, që janë në zhvillim e sipër si F-35 dhe Fajkuajt.

Pyetja që ngrihet tani është se si do t’i përgjigjet Uashingtoni atyre që, sipas analistëve, janë ndërhyrje kibernetike të Pekinit.
Në fjalimin mbi gjendjen e vendit, që mbajti në muajin shkurt, Presidenti Obama foli rreth kësaj çështjeje.

“Ne e dimë se vende dhe kompani të huaja dëmtojnë sekretet tona. Tani armiqtë tanë përpiqen gjithashtu të sabotojnë centralet tona energjitike, institucionet tona financiare dhe sistemet tona të kontrollit ajror. Ne nuk mund të lejojmë që të kalojnë vite dhe të shkojmë nga e kaluara dhe të pyesim veten se pse nuk bëmë asgjë kur përballeshim me kërcënime reale ndaj sigurisë dhe ekonomisë tonë”.

Ky kërcënim është shtuar, ndërsa Kina modernizon ushtrinë dhe përpiqet të gjejë mënyra për të zhvilluar sistemet e veta të armëve.
Jason Healey është specialist i sigurisë kibernetike në Këshillin e Atlantikut, një organizatë kërkimesh në Uashington.

“Ne e dimë se gjatë viteve të fundit kinezët i kanë zgjeruar ndjeshëm programet e tyre të mbrojtjes. Dhe kjo përputhet plotësisht me zhvillimet, që kemi parë në fusha të tjera të sistemeve ushtarake të Kinës”.

Në takimet e tyre me zyrtarë kinezë, zyrtarët amerikanë kanë ngritur për vite me radhë çështjen e sulmeve kibernetike, por qeveria amerikane vetëm kohët e fundit ka filluar t’i bëjë më publike ankesat e saj.

“Para 6 muajsh, Shtetet e Bashkuara ende nuk kishin një qëndrim se si të vepronin ndaj këtij aspekti. Tani qeveria amerikane, nga presidenti deri tek zyrtarët e niveleve më të ulëta, kanë deklaruar se Kina do të konfrontohet kryesisht në takime private, por edhe në publik lidhur me këtë çështje”.

Pentagoni thotë se e shikon me shumë seriozitet kërcënimin e spiunazhit kinernetik, madje ka ndërmarë masa për të mbrojtur aftësitë e veta.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel do të ketë mundësinë që ta ngrejë këtë çështje me zyrtarët kinezë të mbrojtjes kur të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë mbi sigurinë të vendeve aziatike, që do të mbahet këto ditë në Singapor.

XS
SM
MD
LG