Lidhje

Hetimi i aktit terrorist në Londër


Më shumë se një javë pasi një ushtar britanik u vra në mes të ditës në një rrugë të Londrës, në një sulm që mesa duket ishte motivuar nga islamizmi, një nga të dyshuarit është akuzuar për vrasje. Tjetri është ende në spital, nga plagët e marra nga armët e policisë. Autoritetet po përpiqen të zbulojnë se si dy qytetarë britanikë, për të cilët shërbimet e sigurisë kishin dijeni, arritën të kryejnë një sulm kaq brutal. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell njofton nga Londra.

Michael Adebolajo, një nga dy të dyshuarit në sulmin e Londrës, doli para një gjykate të Kenias në vitin 2010. Ai ishte akuzuar se kishte kërkuar të stërvitej me grupin terrorist al-Shabab në Somalinë fqinje, dhe u deportua në Britani.

“Këta njerëz po na keqtrajtojnë, më besoni, ne jemi të pafajshëm”.

Po ashtu është shfaqur një video e Adebolajos, duke marrë pjesë në një demonstratë islamike në vitin 2007. Tabloja që po shfaqet, është ajo e dy të rinjve të radikalizuar në rrugë dhe në internet, thotë ekspertja e terrorizmit Brooke Rogers e Kolegjit Kings në Londër.

“Është e vërtetë të kuptosh kur dikush do të kapërcejë nga komunikimi në internet, nga tubimet e ligjshme, dhe madje edhe nga përqafimi publikisht i pikëpamjeve më ekstremiste. Është shumë e vështirë ta kuptosh se kur do ta bëjnë kalimin tek dhuna”.

Dy të dyshuarit kishin marrë pjesë në takime të grupit islamist Al Muhajiroun, të drejtuar nga Anjem Choudary, që kishte marrë pjesë në një tubim para ambasadës amerikane në Londër në përvjetorin e 11 shtatorit. Të nesërmen e sulmit të Londrës, Choudary u shfaq në televizion.

“Nëse tërheqim trupat nga vendet myslimane, nëse ndalojmë përdorimin e këtyre masave shtypëse, atëherë besoj se këto gjëra nuk do të ndodhnin”.

Një retorikë e ngjashme për pushtimin e vendeve myslimane ishte përdorur nga të dyshuarit në momentin e sulmit. Ja ç’thotë Brooke Rogers.

“Mendoj se ishte shumë interesante, sepse ishin qytetarë britanikë dhe të gjithë e dimë se ç’kishin ndër mend të thonin kur identifikoheshin me “tokat tona”. Retorika është e thjeshtë, angazhim në këto grupe ku mbahen diskutimet, të ndikuara nga islamizmi, ose në internet”.

Të dy të dyshuarit ishin konvertuar në fenë myslimane. Të konvertuarit kanë luajtur rol në një numër aktesh terroriste në Britani, thotë Robin Simcox i Institutit Henry Jackson për politika.

“Atyre u duket se jeta e tyre ka hyrë në një rrugë të gabuar. Dhe feja fillimisht është si një mënyrë për të hyrë në rrugën e drejtë. Dhe pastaj disa individë ndjekin interpretime më ekstremiste”.

Sulmi i Londrës ka rizgjuar thirrjet që predikuesit radikalë myslimanë të ndalohen. Robin

“Dikush që nuk thyen ligjin, por që duket qartë që po radikalizon individët dhe u ofron atyre interpretime ekstremiste të besimit, përbën një problem shumë të vështirë për t’u zgjidhur”.

Analistët thonë se ndërsa hetimi zbulon hollësi të reja, debati mes lirisë së shprehjes dhe përpjekjeve kundër radikalizimit ka shanse të intensifikohet.
XS
SM
MD
LG